Fjalë Kyçe

Publikohet dëshmia e Ervin Matës

Publikohet dëshmia e Ervin Matës

Ish- i fejuari i këngëtares Elvana Gjata ishte në kërkim prej 5 muajsh dhe ndaj tij Gjykata kishte vendosur masën e sigurisë “arrest me burg”, në mungesë, për “Vrasje në rrethana të cilësuara, e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.

Avokati i tij kerkoi ndryshimin e kësaj mase, nisur edhe nga fakti se deri tani oficerët e Policisë Gjyqësore ende nuk kanë arritur të përcaktojnë rolin e 31- vjeçarit Mata në ngjarje. Në dëshminë që ka dhënë në Policinë e Tiranës pas vetëdorëzimit, Ervin Mata është shprehur se është larguar sapo kanë nisur të shtënat dhe nuk e ka parë se kush ka qëlluar.

Ai ka deklaruar përpara hetuesve se nuk është përfshirë në përplasjen me armë, nga e cila mbeti i vrarë Fabian Gaxha dhe u plagosën Eljon Hato dhe Ervis Martinaj. Edhe tre personat e tjerë që ishin në kërkim dhe u vetëdorëzuan, Geldo Hoti, Fabio Allushi dhe Ajaks Boshnjaku, për të cilët ishte vendosur “arrest me burg”, në mungesë, Gjykata e zbuti masën e sigurisë në “detyrim paraqitje”.

NE KERKIM

Në lidhje me ngjarjen e rëndë, që ndodhi vitin e kaluar në zonën e ish-Bllokut, aktualisht janë të shpallur në kërkim vetëm dy persona, Mevjol Bilo dhe Eldi Dizdari. Komando Mevjol Bilo, sipas dosjes së Prokurorisë, është personi që ka qëlluar me armë zjarri, duke lënë të vrarë Fabian Gaxhën dhe plagosur Ervis Martinajn dhe Eljon Haton.

Ndërsa biznesmeni Eldi Dizdari ishte identifikuar nga grupi hetimor disa ditë pas ngjarjes, por vetëm në mesin e muajit nëntor Prokuroria ka urdhëruar ndalimin e tij e për rrjedhojë Policia e ka shpallur në kërkim, pasi nuk e ka gjetur në banesë. Oficerët që kanë kryer verifikimet në kuadër të hetimit për vrasjen e ndodhur më 4 tetor te ish-Blloku, kanë siguruar të dhëna që flasin për një krisje marrëdhënieje mes Ervin Matës dhe Eldi Dizdarit. Dikur miq të ngushtë, ata së fundmi ishin përfshirë në një konflikt, dyshohet për çështje droge.

Të paktën në këtë përfundim kanë arritur deri në këtë fazë hetimi oficerët e Policisë së Tiranës. Në dosjen e Prokurorisë, shpjegohen veprimet hetimore dhe e gjithë dinamika e ngjarjes. Aty theksohet se para vrasjes, para lokalit të Redi Popeskut, kishte pasur një konflikt në kohën kur Elvana Gjata kishte shkuar të takonte të fejuarin e saj Ervin Mata. Bëhej fjalë për disa persona që ndodheshin brenda një automjeti që kishte ndaluar paralel me makinën e këngëtares, për drejtuesin e së cilës Ervin Mata ishte shprehur se ishte mik i tij.

Ndonëse nga këqyrja e kamerave të sigurisë nuk ka rezultuar të ketë pasur sjellje miqësore mes këtyre dy personave. Tashmë, burimet thonë se është identifikuar personi që drejtonte këtë automjet dhe është pikërisht biznesmeni Eldi Dizdari, i cili është shpallur në kërkim.