Fjalë Kyçe

Gjatë qeverisjes Haradinaj në Telekom u punësuan 234 persona (Dokument)

Gjatë qeverisjes Haradinaj në Telekom u punësuan 234 persona (Dokument)

Me gjithë problemet e mëdha financiare, Telekomi i Kosovës gjatë qeverisjes Haradinaj është mbipopulluar me punëtorë e staf të ri.

Në një dokument ekskluziv, të cilin e ka siguruar KALLXO.com, dëshmohet se nga shkurti 2018 deri në shkurtin e vitit 2019 në këtë ndërmarrje është rritur numri i punëtorëve për 234 persona.

Ndërmarrja ka të punësuar hiç më pak se 121 persona në Departamentin e Marketingut.

Dokumenti në formë raporti i është dërguar ministrit Valdrin Lluka nga Besa Shatri-Berisha, kryesuese e bordit të Telekomit dhe bashkëshortja e deputetit të AAK-së, Bekë Berisha.

Telekomi në këtë kohë është menaxhuar nga njerëz të lidhur me Qeverinë Haradinaj.

Departamentet e populluara

Në këtë raport, kryesuesja e bordit të drejtorëve Besa Shatri-Berisha ka treguar për punësimet për secilin departament për periudhën kohore shkurt  2016 deri në shkurt 2019.

Ndryshimet në numrin e të punësuarve nëpër departamente janë më të dukshme për periudhën shkurt 2018 dhe shkurt të këtij viti.

Në bazë të tabelës vërehet që  ndryshimet më të mëdha janë bërë në Departamentin e Logjistikës ku në vitet 2016, 2017, 2018 nuk ka pasur asnjë të punësuar, ndërsa në vitin 2019 në këtë Departament janë transferuar dhe punësuar 383 persona.

Kurse departamentet në të cilat vërehet rritje e madhe e numrit të punëtorëve për periudhën kohore të lartcekur janë Departamenti i Shitjes, ku nga 685 persona sa ka qenë, ky numër është rritur në 793, pra janë punësuar 108 persona.

Një rritje e tillë ka ndodhur edhe në Departamentin Teknik, ku nga 846 të punësuar, numri është rritur në 903, pra janë punësuar 57 persona. Edhe Departamenti i Marketingut ka pësuar rritje për 42 persona, nga 79 sa kanë qenë në shkurt të 2018, në shkurt të 2019 janë bërë 121 persona.

Në departamentin Zyra e drejtorit menaxhues ka pasur rritje më të vogël të stafit nga 29 sa kanë qenë në vitin 2018 në 49 punëtorë, pra kësaj zyre i janë shtuar 20 punëtorë më shumë.

As Departamenti i Auditimit nuk ka mbetur pa ndryshime: nga 5 të punësuar numri është rritur në 6. Po ashtu, edhe në Departamentin e Financave në periudhën shkurt 2018 deri në shkurt 2019 janë punësuar 9 persona.

Mirëpo në bazë të këtij raporti ka departamente në të cilat edhe është zvogëluar numri i të punësuarve.

Departamenti për punë të korporatës në vitin 2018 ka pasur 51 punëtorë, ndërsa tani ka 46, pra numri është zvogëluar për 5 punëtorë.

Në raportet e siguruara nga KALLXO.com ulje drastike të numrit të punëtorëve në ndërmarrjen Telekomi i Kosovës ka pësuar edhe Departamenti për burime njerëzore dhe administratë, ku nga 429 punëtorë kanë mbetur vetëm 32 prej tyre.

Në Departamentin e Prokurimit nuk ka pasur ndryshim të numrit të të punësuarve, aty janë vetëm 6 të punësuar.

Departamente në të cilat stafi është punësuar gjatë vitit 2019 janë Departamenti për Trajnim dhe Zhvillim, me 14 të punësuar si dhe Departamenti për Strategji dhe Zhvillim Biznesi me dy të punësuar.

Qe nga viti 2016 deri në vitin 2019 asnjë punësim nuk ka pasur në Zyrën e sekretarit të bordit.

Përshkrimi i departamenteve     Shkurt-2016        Shkurt-2017        Shkurt-2018        Shkurt-2019

Zyra e drejtorit menaxhues         26           31           29           49

Departamenti i auditimit               5              5              5              6

Departamenti i financave             155         161         166         175

Zyra e sekretarit/Bordit

Departamenti për punë të korporatës   52           51           51           46

Departamenti për BNJ dhe Administratë               440         435         429         32

Departamenti i shitjes   662         643         685         793

Departamenti Teknik     870         854         846         903

Departamenti i Marketingut       68           74           79           121

Departamenti i Prokurimit           17           17           16           16

Departamenti për Trajnim dhe Zhvillim                                                  14

Departamenti për strategji dhe zhvillim biznesi                                                  3

Departamenti për logjistikë                                                         383

Total sipas viteve             2295       2271       2306       2540

Si i arsyeton Telekomi punësimet e 234 personave?

Në raportin të cilin Besa Shatri-Berisha ia ka dërguar ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, e të siguruar nga KALLXO.com përmenden arsyet për punësimin e 234 punëtorëve.

‘Zhvillimet e fundit teknologjike e kanë zënë Telekomin në pamundësi në investime adekuate dhe resursi më i lirë është një angazhim të punonjësve të rijnë, duke rekrutuar, trajnuar, ku shumë punë lidhen me sistem dhe operim mendohet të kryhen brenda vet Telekomit (in house). Kjo do të thotë se për punë të njëjte, qëllim të njëjte do të ketë kosto më të ulëta”, thuhet në arsyetimin që Shatri-Berisha ia ka dhënë ministrit Lluka.

Tutje në arsyetimin e saj Shatri-Berisha thotë se objektivat e vitit 2019 kërkojnë punëtorë të rinj si në moshë ashtu edhe në njohuri teknologjike.

“Realizimi i të hyrave të planifikuara, modernizimi i rrjetit, dhe rrjedhimisht rritje të kapaciteteve të ofrimit të shërbimeve të reja dhe zgjerim të numrit të konsumatorëve, shtim i numrit të pikave shtesë, rritje të imazhit, janë disa objektiva të cilat Telekomi i Kosovës ka për qëllim ti arrij gjatë vitit 2019. Megjithatë modernizimi i rrjetit dhe shtrirja e broadband në tërë territorin e Kosovës, është sfidë në vete dhe kërkon energji, punonjës të rijnë si në moshë ashtu edhe në njohuri teniko teknologjike. Për fat të keq Telekomi i Kosovës nuk i ka në dispozicion kur dihet se mesatarja e moshës punëtorëve sillet rreth 50 vjeç”, thuhet tutje aty.

Po ashtu, si arsye për shtimin kaq të madh të punëtorëve përmendet edhe mundësia e pensionimit të parakohshëm për disa punëtorë.

“Në të ardhmen Telekomi planifikon që këto njohuri ‘know how’ ti ofron në treg edhe për operator të mundshëm të tjerë duke krijuar burim të ri të të hyrave. Gjithashtu është e rëndësishme që të theksohet mundësia e implementimit të politikes së pensionimit të parakohshëm, politikë, kjo e njohur për operatorë të ngjashëm në rajon”, thuhet në arsyetimin dhënë ministrit Lluka.

Sipas saj, ky proces i shtimit të punëtorëve e përcakton të drejtën dhe mënyrën e vlerësimit të gjendjes aktuale.

“Ekzistimi i politikave, procedurave të rekrutimit dhe seleksionimit të stafit brenda Telekomit të Kosovës është një proces mbështetës që më së miri e përcakton të drejtën dhe mënyrën e vlerësimit të gjendjes aktuale dhe përzgjedhjen e punëtorëve të rijnë e cila gjithashtu paraqet edhe nevojat për trajnim adekuat dhe zhvillim të tyre, e cila mundësohet përmes Qendrës së Trajnimeve në kuadër të korporatës”, thuhet tutje aty.

Në raportin e siguruar nga KALLXO.com thuhet se aplikimi i metodave të avancuara nga Telekomi nuk mund të bëhet pa angazhim të punëtorëve të rinj.

“Përmirësimi i performancës së korporatës, realizimi i objektivave dhe synimeve është i domosdoshëm me qëllim të ballafaqimit me konkurrencën gjithnjë e në rritje. Dhe për të përfituar nga ky zhvillim i shpejtë i telekomunikacionit në kuadër të strategjisë së planifikuar janë paraparë të projektohen metoda të reja të avancuara të shërbimit ndaj konsumatorit dhe marketingut. Kjo padyshim se kërkon angazhim të numrit të punëtorëve të rijnë, kjo bazuar në kërkesat e departamenteve përkatëse në Telekomin e Kosovës”, thuhet tutje në arsyetim.

Në raportin dërguar ministrit Lluka theksohet se të gjitha këto punësime janë në pajtim me Ligjin e Punës.

“Angazhimet e punësimeve kryhet komfor dispozitës së nenit 10 pika 2.3 të Ligjit Nr.03/L-212 të Punës (LP) për ‘Angazhimet për punë dhe detyra specifike’. Ky angazhim mbulohet dhe korrespondon edhe me kërkesat të njësive kërkuese.” thuhet në raport.

Tutje, sipas Besa Shatri-Berishës, kjo formë e punësimit shërben si detektor për individët e papërshtatshëm për ndërmarrjen.

“Kjo formë e angazhimeve mundëson korporatës që ç’do rast të këtij punësimi të verifikon në praktik dhe parametrat dhe përformancën e të punësuarve në kohë të caktuar dhe eventualisht detekton individët që nuk janë të përshtatshëm për angazhime të mëtejme. Në këtë drejtim nëse tregohet nevoja për angazhim permanent, do ti nënshtrohen në fazën finale obligimit ligjor të shpalljes së konkursit publik, në harmoni me dispozitën e nenit 8 të LP, ku këta ekzekutues të angazhuar përkohësisht, në një procedurë të hapur, barabartë dhe transparente do të garojnë për për zgjedhjet finale”, thuhet aty.

Në fund të këtij raporti thuhet së një formë e tillë e punësimit i sjellë përparësi praktike Korporatës dhe dëshmon një punë në harmoni të plotë me legjislacionin.

“Duke ju referuar nevojave për punonjës të rijnë, ju sigurojmë se kjo formë e angazhimit të punësuarve sjellë shumë përparësi praktike ndaj korporatës dhe njëkohësisht si primare dëshmon një punë në harmoni të plotë me kërkesa e legjislacionit pozitiv”, thuhet në përfundim të raportit.

Raporti është dorëzuar te ministri Valdrin Lluka në kohën kur Telekomi është në kritika të mëdha për punësime të vazhdueshme dhe në kohën kur Qeveria ka nisur procedurat e shitjes së ndërmarrjes.