Fjalë Kyçe

“Marrëveshja Kosovë-Serbi duhet të ndodhë këtë vit”

“Marrëveshja Kosovë-Serbi duhet të ndodhë këtë vit”

Arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse brenda vitit 2019 dhe njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë është pozicioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të cilin ka folur një zyrtar i Qeverisë amerikane, në bashkëbisedim me gazetën. Por SHBA-ja e sheh të pamundur ofrimin e një garancie se nuk do të vihet në diskutim ndryshimi i kufijve.

Zyrtari amerikan i ka thënë “Kohës Ditore”, se u takon palëve të shkojnë drejt marrëveshjes që duan, prandaj as nuk kanë vendosur vija të kuqe në këtë proces. Megjithatë, e ka bërë të qartë se jo çfarëdo marrëveshje do të jetë e pranueshme për Shtetet e Bashkuara.

Me gjithë implikimet dhe rreziqet që bart ndryshimi i kufijve në Ballkan, i përmendur si njëri prej opsioneve të mundshme, zyrtari amerikani thotë se nuk duhet pasur frikë nga dialogu dhe epilogu që sjell ai. E ka bërë të qartë se nuk është politikë e Amerikës të diktojë përmbajtjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.

Por, qëllimi final duhet të jetë njohja e ndërsjellë dhe hapja e perspektivës për të dyja vendet- integrimi në Bashkimin Evropian dhe për Kosovën anëtarësimi në OKB, ka thënë zyrtari amerikan.Ai ka pranuar se nuk do të jetë e lehtë arritja e marrëveshjes marrë parasysh pozicionet e palëve, por ka insistuar se duhet të ketë përkushtim më të madh.

Por, e ka përsëritur disa herë se, marrëveshja gjithëpërfshirëse duhet të përfundojë me njohje reciproke dhe se, “kjo i është bërë e qartë edhe presidentit të Serbisë, Vuçiq”. Amerika kërkon që marrëveshja të mbërrihet brenda vitit 2019.