Afër 6 milionë euro do t’i kushtojë buxhetit të shtetit për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Kosovë.
Ndonëse, ditë më parë është shpërndarë Kuvendi, Qeveria e Kosovës përkatësisht Ministria e Financave ende nuk i ka ndarë mjetet buxhetore për KQZ-në derisa të ketë një opinion këshillues nga Gjykata Kushtetuese.
Këshilltari i ministrit të Financave, Lulëzim Rafuna, thotë se zyrtarë të departamentit të buxhetit në Ministri të Financave dhe zyrtarë të KQZ-së kanë pasur takime të përbashkëta të cilët kanë harmonizuar draft buxhetin dhe shuma e mjeteve të parapara për organizimin e zgjedhjeve është 5 milionë e 894 mijë e 730 euro, por që nuk mund të alokohen këto mjete deri në dhënien e një opinioni nga Gjykatës Kushtetuese për shkak të rrethanave të krijuara me rënien e Qeverisë pas dorëheqjes së kryeministrit.
Në mbledhjen e fundit që është mbajtur nga Qeveria në largim, kryeministri në dorëheqje i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për opinionin ligjor për veprimet që mund t’i marr qeveria në këto rrethanë si kryeministër në dorëheqje.
Për këtë, këshilltari Rafuna thotë mjetet janë të siguruara, por kushtetuesja nuk ka dhënë përgjigje ende.
Edhe kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka thotë se nuk kanë kërkuar ende zyrtarisht mjete nga Ministria e Financave për mbajtjen e zgjedhje, ngaqë nuk ka datë zyrtare për mbajtjen e tyre.
Daka nuk ka treguar për shumën e mundshme të mjeteve për organizmin e zgjedhjeve.
Profesori i të drejtës kushtetuese, Mazllum Baraliu, për KosovaPress thotë se pa një opinion të Gjykatës Kushtetuese dhe pa mjete të ndara prej afër pesë milionë euro aq sa kërkon KQZ-ja nuk mund të ketë zgjedhje.
Sipas Baraliut, edhe për këtë arsye dhe arsye të tjera, për të gjitha Ministritë dhe të vet kryeministrit të dorëhequr do të duhej që Gjykata Kushtetuese sa më parë ta jap një përgjigje në lidhje me pyetjen që ka bërë ish kryeministri i Republikës së Kosovës.
Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, në mbledhjen e fundit të qeverisë ka drejtuar kërkesë pran Gjykatës Kushtetuese për të marrë opinion lidhur me çdo veprim që mund të marrë kjo qeveri në këto rrethana.
Ndryshe, kryeministri Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje më 19 korrik, ndërsa Kuvendi është shpërndarë më 22 gusht, kurse së shpejti pritet që presidenti Hashim Thaçi të caktoj datën e zgjedhjeve që mund të jetë 6 tetori. /kp/