Fjalë Kyçe

Haradinaj: Nuk kam komunikim me Milan Radoiçiq, ai është në kërkim nga drejtësia

Haradinaj: Nuk kam komunikim me Milan Radoiçiq, ai është në kërkim nga drejtësia

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë ka thënë se nuk ka komunikim me Milan Radoiçiq që nga koha kur ai është vënë në listë të ndjekjes nga ana e organeve shtetërore të Kosovës si i dyshuar për përfshirje në rastin e vrasjes së liderit të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Haradinaj, ka deklaruar se nuk mund të komunikojë me një njeri që tashmë është duke u kërkuar nga drejtësia, shkruan Gazeta Alo.

“Kam punu me zotëri Milan Radoiçiq, siç kam punu edhe me Rikallon dhe me koleg të tjerë ai është në kërkim nga drejtësia e vendit dhe s’ka mundësi me pas komunikim”, ka deklaruar Haradinaj.

Ndërsa duke komentuar deklaratat e presidenti Hashim Thaçi në Tiranë i cili tërthorazi përmendi bashkëpunimin e Haradinajt me Milan Radoiçiq, kryeministri tha se takim me Radoiçiqin ka pasur edhe vetë presidenti Hashim Thaçi.

“Unë ju siguroj që e kam taku z. Radoiçiq bashkë me Presidentin Hashim Thaçi në zyrën e tij. Unë s’kam qef me i fshehë këto. Kur të takohem me dikën, e ia zgjas dorën dikujt s’kam qef me e fshehë. Ma shumë se dy orë kemi pas takim në zyrën e Thaçit bashkë me përfaqësues tjerë të shtetit”, tha Haradinaj./Gazeta Alo/