Ndryshimi i qëndrimit të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi se s’do të ketë shkëmbim territoresh me Serbinë, ka gëzuar Britaninë e Madhe.
Në debatin e sotëm në Parlamentin britanik, deputetët u shprehën sërish kundër korrigjimit të kufijve.
John Grogan nga Laburistët ka thënë se “është gëzuar që javën e shkuar presidenti i Kosovës tha se shkëmbimi i territoreve s’do të ndodhë kurrë”.
“Vitin e shkuar ai fliste për korrigjim kufijsh me Serbinë, por ishte qasje e gabuar. Shumë para janë shpenzuar në lobim në Londër dhe në vende tjera për këtë çështje, por jam i gëzuar që presidenti ka ndryshuar qasjen. Kryeministri dhe parlamenti kishin të drejtë që ishin të brengosur për shkëmbim të territoreve, korrigjim kufijsh apo sido që e quajnë. Kjo mund të destabilizonte shumë Ballkanin”, ka thënë ai.
Ministri për Evropë dhe Amerikë, Alan Duncan, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të inspirohen nga Maqedonia dhe Greqia për arritjen e marrëveshjes, teksa ka thënë se pret që Ushtria e Kosovës të vazhdojë bashkëoperimin me KFOR-in. Sipas tij, është në duart e Kosovës që të suspendojë taksën dhe të lejojë rikthimin e dialogut.
“Është në interes të Kosovës të ruajë momentumin drejt një marrëveshjeje. Britania e Madhe beson se një marrëveshje e dialogut e bazuar në ndryshim të kufijve rrezikon stabilitetin në Kosovë, Serbi, e më tej, në Bosnje Hercegovinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ndryshimi i kufijve do të rrezikonte edhe vendosjen e një precedenti që do të mund të shfrytëzohej nga palët e treta në rajon dhe më tej”, ka thënë ai.
Ai ka kërkuar nga të gjitha palët që të fokusohen në një marrëveshje për përforcim të sigurisë dhe stabilitetit, në parimet e multietnicitetit.