Organizata “Let’s Do It Kosova” ka vazhduar monitorimin e zbatimit të Udhëzimit Administrativ për Gjoba Mandatore nga inspektorët komunal mjedisor dhe qendror dhe shqiptimin e gjobave për ndotësit.
Sipas të dhënave të monitorimit, rezulton se në të gjitha komunat e Kosovës gjatë muajit shkurt janë shqiptuar gjithsej 106 gjoba. Krahasuar me të dhënat e muajit janar [123], këtë muaj janë shqiptuar 17 gjoba më pak [106], përderisa gjatë muajit dhjetor ishin shqiptuar 84 gjoba, ndërsa gjatë nëntorit ishin shqiptuar 89 gjoba.
Bazuar në monitorimin e “Let’s Do It Kosova”, del se gjatë shkurtit më së shumti gjoba kanë shqiptuar inspektorët e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Gjithsej, 47 gjoba për ndotësit e mjedisit.
Ndërsa, listës së komunave për muajin shkurt iu prin Komuna e Pejës, me 24 gjoba të shqiptuara, pasuar nga Komuna e Prizrenit – inspektorët e së cilës kanë shqiptuar gjashtë gjoba gjatë shkurtit. Lista vazhdon me Komunën e Ferizajt, Klinës dhe Deçanit, të cilat kanë shqiptuar nga katër gjoba gjatë shkurtit.
Tri gjoba për ndotësit e mjedisit i ka shqiptuar Komuna e Suharekës, ndërsa nga dy gjoba kanë shqiptuar komunat, si Vushtrri, Mitrovicë, Gjilan, Gjakovë dhe Rahovec. Ndërsa, nga një gjobë kanë shqiptuar komunat si Shtime, Lipjan, Skenderaj dhe Drenas.
Ndërkohë, komunat që nuk kanë shqiptuar fare gjoba gjatë muajit shkurt janë: Prishtina, Fushë Kosova, Obiliqi, Podujeva, Vitia, Kamenica, Kaçaniku, Hani i Elezit, Istogu, Juniku dhe Malisheva.
Nga të dhënat e monitorimit rezulton se lloji më i shpeshtë i gjobave të shqiptuara ishte ai për hedhjen e mbeturinave dhe materialeve ndërtimore jashtë vendeve të caktuara.
Edhe gjatë muajit shkurt, disa nga problemet e identifikuara nga inspektorët për zbatimin e këtij Udhëzimi Administrativ kanë qenë mungesa e automjeteve që u duhen inspektorëve për të kryer inspektimin, si dhe mungesa e blloqeve për shqiptimin e gjobave.
Ndërsa, dukuir shqetësuese mbetet fakti se inspektorët raportojnë se nganjëherë nuk mund të shqiptojnë gjoba, shkak i afërsisë që kanë ndotësit.
Udhëzimi Administrativ për Gjoba Mandatore është nënshkruar gjatë Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, dhe ka synim reduktimin dhe eliminimin e ndotjes së mjedisit dhe shëndetin e njeriut, mbrojtjen e sipërfaqeve publike dhe private përmes menaxhimit të mbeturinave.
“Let’s Do It” ju njofton se monitorimi i zbatimit të Udhëzimit Administrativ për Gjoba Mandatore do të vazhdojë edhe muajve në vijim, kur edhe do të bëhen publike të gjitha të dhënat./Gazeta Alo/