Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për shënimin e 21-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka thënë se në marsin e vitit 1998 një familje u shua, ndërsa një popull i robëruar u ngjall.
“Sot ne përkujtojmë me respekt sakrificën sublime dhe përulemi para veprës dhe varreve ku pushon ai dhe familja e tij. Në marsin e 1998 një familje u shua dhe një popull i robëruar u ringjall”, tha Haradinaj, shkruan Gazeta Alo.
Sipas Haradinaj, komandanti legjendar Adem Jashari lëvizi akrepat e historisë.
“Jasharajt e dhanë krejt çka kishin për ne dhe atë se çka është e jona sot. Adem Jashari lëvizi përpara akrepat e historisë duke ndryshuar epokat. Ai zgjohej kur të tjerët binin”, ka thënë ai.
Mirëpo, edhe njëherë bëri thirrje që pozitë dhe opozitë të jenë të bashkuar siç ishin në kohën e luftës.
“Ashtu siç ishim bashkë në liri dhe jemi sot bashkë duhet të bashkohemi nesër për të drejtën tonë sepse ia kemi borxh komandantit tonë. Kosova ka miqtë e përhershëm ka Amerikën dhe aleatët e saj. Kosova sot është ranguar në rresht sepse ka ushtrinë e saj. Kosova sot iu bëhet krah ushtrive dhe popujve për të ndihmuar paqen në botë”, ka deklaruar kryeministri Haradinaj./Gazeta Alo/