Prokuroria Themelore në Gjakovë ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë-Dega Rahovec, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit H.A., me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “rrezikim i trafikut publik”.
Me datën 06.03.2019, i pandehuri duke vozitur automjetin e tij, në aksin rrugor Kramovik -Xërxë, në afërsi të një shkolle fillore të fshatit Radostë, duke mos respektuar rregullat e trafikut rrugor, ka rrezikuar jetën e tani të dëmtuarës, B.Z., e moshës 12 vjeçare, e cila ishte duke e kaluar rrugën, ku i pandehuri e ka goditur atë, dhe me lëndimet të cilat i ka marrë e dëmtuara është dërguar në spitalin rajonal në Gjakovë, ndërsa për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, është dërguar në QKUK në Prishtinë, gjendja e së cilës është shumë e rëndë dhe ende e paqartë për mbijetesë.
Prokurori i rastit, ndaj të pandehurit H.A., ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh./Gazeta Alo/