Edhe java që po hyjmë pritet të përfshihet me porosi të bashkësisë ndërkombëtare sa i përket dialogut me Serbinë.
Për nesër, në Kosovë është paralajmëruar një vizitë e dy këshilltarëve të kancelares gjermane Angela Merkel.
Në Kosovë dje solli mesazhe edhe zyrtari i lartë amerikan, David Hale, i cili ftoi liderët e Kosovës që të flasin me një zë, në mënyrë që të fuqizohet roli i Kosovës në dialog.
Hale po ashtu theksoi se përkrahja e SHBA-së është e palëkundshme. Duke folur për marrëveshjen gjithëpërfshirëse me Serbinë, Hale tha se në bosht të saj duhet të jetë njohja e ndërsjellë, raporton rtklive.
Edhe pse ditët e fundit ka pasur presion për heqjen e taksës për t’i hapur rrugë dialogut me Serbinë, presidenti serb, Vuçiq, sot ka vënë në pikëpyetje vazhdimin e dialogut edhe nëse hiqet taksa.
Po sot, Lista Serbe, përmes zëdhënësit Igor Simiq, u ka thënë LDK-së dhe Vetëvendosjes, se do t’iu bashkohet në rrëzimin e Qeverisë Haradinaj nëse i sigurojnë 51 vota.