Ne nuk jemi afër marrëveshjes me Prishtinën, pasi nuk negociojmë me të, tha sot presidenti serb Aleksandar Vuçiq pas takimit me këshilltarët e politikë së jashtme të kancelares gjermane Angela Merkel.
Vuçiq vuri në dukje se zyrtarët gjermanë e kishin informuar se kishin kërkuar nga Prishtina heqjen e taksave, por, siç tha ai, nuk pret që Prishtina ta bëjë këtë.
Aleksandar Vuçiq, në një intervistë me RTS, tha se me këshilltarët e kancelares gjermane Jan Hecker dhe Matthias Litenberg biseduan për marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës.
“Ne nuk jemi pranë marrëveshjes, pasi nuk po negociojnë gjermanët, por ne dhe negociata të tilla nuk ka,” tha Vuçiq.
Ai tha se me këshilltarët e Merkel ka biseduar për mënyrën se si të ruhet stabiliteti, paqja, si të shmangen eskalimet e mëtejshme, shkruan KP.
I pyetur se përse Beogradi nuk miratoi një platformë për negociata me Prishtinën, Vuçiq u përgjigj se është e qartë për të gjithë.
“Nëse ju dëshironi të bisedoni me dikë, atëherë mos i ngulitni gjërat. Nëse i ngulitni, është e vështirë të nxirren gozhdët. Për të planifikuar një platformë të ngjashme me Prishtinën, atëherë ju e kuptoni se nuk mund të ketë marrëveshje”, tha Vuçiq.
Ai tha se pret në prill të ketë zhvendosje të re të dialogut nga ana e BE-së, në mënyrë që gjendja e tanishme të ndryshojë.