Fjalë Kyçe

Abdixhiku për punësimet në Telekom: Është hera e dytë që ia kalojmë Gjermanisë, e para ishte me numrin e ministrave

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reaguar për punësimet e familjarëve në Telekom që po bëhen nga zyrtarë të partive në pushtet.

Abdixhiku, ka thënë se derisa 7 deputetë kanë punësuar familjarët e tyre në Telekom, janë pikërisht të njëjtit që pyesin pse po falimenton Telekomi, shkruan Gazeta Alo.

Deputeti Abdixhiku, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ka shkruar se këta pasurinë e Kosovës e shohin si plaçkë.

Postimi i tij i plotë:

Çka pritët prej tyre?

Janë të pangopur, të mbrapshtë dhe të rrezikshëm.

– 7 deputetë të pushtetit i kanë punësuar familjarët e tyre në Telekom. Thonë se janë më të zotit; s’ka si ta në Kosovë. Njëri madje tha se po i bënte nder Kosovës. Në Parlament, të njëjtit ndërsa, na mbajnë ligjerime moralizuese e vajtuese mbi devalvimin e PTK-së. Pyesin pse po falimenton?

– 234 familjarë e militantë partiak janë punësuar në Telekomin e Kosovës vetëm gjatë kësaj qeverisje. Proporcionalisht kanë punësuar më shumë se Telekomi Gjerman. Është hera e dytë që ia kalojmë Gjermanisë. E para kishte të bënte me numrin e ministrive në Qeveri.

Këta pasurinë e Kosovës e shohin si plaçkë. Si pronë të tyre, si shpërblim. Për vetëm 1 vit e gjysmë qeverisje, kanë kapur me pangopësi secilën mundësi. Nga gjysmë milion eurot e pavarësisë, tek 53 milionë eurot e Bechtelit. Nga rritja e pagave për vete tek vërshimet punësuese nëpër asete.

Por, “me rëndësi taksa”.

Me të jemi 100% shtet./Gazeta Alo/