Po vazhdon seanca gjyqësore në rastin e veteranëve mashtrues, ku 10 të akuzuar për këtë rast po ballafaqohen me akuzat e ngritura nga Prokuroria Speciale.
Të akuzuarit, që ishin të pranishëm në seancën e sotme në Gjykatën Themelore të Prishtinës, janë deklaruar rreth fajësisë së tyre, duke thënë se janë të pafajshëm dhe se kjo aktakuzë e Prokurorisë Speciale është e pabazuar.
Ndërkohë, Prokuroria ka kërkuar që veteranëve t’u ndalen pensionet derisa të përfundojë procesi gjyqësor për listat e fryra.
Për këtë nuk është marrë ende vendim nga gjykata, derisa OVL e UÇK-së, ka paralajmëruar protesta në rast se ky propozim i prokurorisë aprovohet nga Gjykata, raporton gazeta express.
Në këtë seancë prokurori special, Enver Krasniqi, ka paraqitur kërkesën e tij që të pezullohet pagesa për 19 mijë veteranët deri në përfundim të procesit gjyqësor.
Sipas tij, kjo duhet të bëhet me arsyen se “si rezultati i veprës penale nga të pandehurit është dëmtuar buxheti i Kosovës dhe vazhdon të dëmtohet. Prandaj duke konsideruar buxhetin e Kosovës si interes publik, prokurori i shtetit ka autorizim të plotë ligjor për të kërkuar një gjë të tillë”, ka thënë Krasniqi.