Qeveria serbe planifikon një komision ekspertësh kundër eksodit masiv të fuqisë punëtore nga vendi. Tri vajza serbe rrëfejnë për jetën e re si infermiere, që do fillojnë së shpejti në Gjermani.
“I gjithë turni i urgjencës së këtushme ka qenë në kursin e gjermanishtes. Tani të gjithë janë në Gjermani”, thotë Filipi, që drejton një shkollë të gjuhëve të huaja. Para 10 vjetësh, kur ai e hapi këtë shkollë ishte anglishtja gjuha më e kërkuar, tani gjermanishtja.
Të rinjtë, të gatshëm për t’u larguar
Tre nxënëse të gjermanishtes të shkollës së tij kanë mbaruar ndërkohë kursin B1 të gjuhës për infermiere. Infermiere të reja me diplomë që për pak ditë do të shkojnë të punojnë në Gjermani. Jovana dhe Angelina i kanë nënshkruar ndërkohë kontratat e punës me Klinikat Asklepios në Hamburg. Miljana do ta fillojë në Tübingen jetën e saj të re, në klinikën universitare. 24 vjeçarja, Jovana ka një argument të patundshëm për largimin e saj nga vendi. “Këtu nuk kishte punë për mua. Do të emigroj për shkak të mosgjetjes së vendit të punës.”
Leskovci është një qytet i varfër, një qytet, për të cilin thuhet, se përgatit mishin më të mirë në zgarë në Ballkan. Por kohët e lavdishme, si qytet i tekstilit dhe industrisë farmaceutike kanë kohë që kanë marrë fund. Askush nuk e quan më këtë qytet “Mançesteri serb”, dikur një komunë me 100.000 banorë, sot aty jetojnë shumë më pak se 70.000 vetë, shkruan dw, përcjell albinfo.ch.
Jovana ka qenë ndërkohë tre herë në Gjermani. Testimi në Berlin dhe Hamburg ishte një përvojë pozitive, punëdhënësit mbetën të kënaqur. “Aty kuptova, se puna në Gjermani dhe Serbi nuk ndryshon shumë. Vetëm tek ndarja mes kujdestares shëndetësore dhe infermieres edhe tek numri i pacientëve që është i kufizuar. Nuk është kështu në Serbi. Një infermiere është edhe kujdestare. Ajo mund të kujdeset madje për një pavion të gjithë në një spital”.
“Madje edhe mbiorët paguhen…”
Për Angelinën 19-vjeçare edhe punë të tilla të lodhshme ishin të pakapshme. “Fqinja ime punonte si sanitare në spital. Ajo ndoqi një kurs të shpejtë dhe u rikualifikua, tani punon si infermiere”, thotë ajo e ngre supet. Ndërsa 26-vjeçarja Miljana konfirmon me seriozitet. “Në vendin tim për fat të keq nuk vlerësohet kualifikimi profesional. Njerëzit i marrin punët në bazë të kritereve të tjera. Prandaj e shoh të ardhmen time në Gjermani”.
Jovana thekson, se në Gjermani vlerësohen kualifikimet, dhe puna është e paguar mirë. “Madje edhe mbiorët paguhen, aboneja urbane të paguhet. Ke nje mensë, ndihmë deri sa të gjesh apartament, kësaj i shtohen kurset shtesë dymujore të gjuhës. Që të treja vajzat serbe flasin pozitivisht për korrektesën e firmës ndërmjetësuese dhe për përvojat e para me punëdhënësit.
Në Serbi rroga mesatare është nën 400 euro. Papunësia në vend sipas shifrave zyrtare është 12%. Disa ekspertë thonë, nëse nuk do të kishte emigracion, papunësia do të rritej në 20%. Mes të rinjve papunësia kap shifrën 30%. Kështu largimi masiv i trurit në drejtim të perëndimit është për qeverinë serbe bekim dhe mallkim. Ajo mund të lëvdohet, se ka ulur papunësinë, por realiteti në terren është i hidhur për shkak të emigracionit. Ministria e Punës ka bërë të ditur së fundmi themelimin e një komisioni ekspertësh për të gjetur rrugë për uljen e emigracionit masiv.
Për Jovanën, Angelinën dhe Miljanën kjo nuk ka më rëndësi. Të treja e shohin edhe privatisht të ardhmen në Gjermani, dhe nuk mendojnë, se do të kthehen më. Vajzat duan të krijojnë më vonë edhe familje në Gjermani. E trishtueshme për prindërit, thonë ato, por kanë mirëkuptim, kur shohin se Serbia po kthehet në një qorrsokak, jo vetëm për mjekët e rinj.
Problemi i emigrimit është bërë një plagë e ndjeshme për shoqërinë serbe, por ai nuk është i ri. Edhe në epokën e Titos, Jugosllavia e zgjidhte problemin e papunësisë përmes eksportimit të fuqisë punëtore. Në dekadat e fundit Serbia ka humbur afër 1 milionë banorë. Për një vend me më pak se 7 milionë banorë, një problem jo i vogël. Çdo vit popullsia tkurret me 35.000 banorë, një rekord botëror.
“Kush mbetet këtu…?”
Jovana flet edhe për gjeneratën e saj, kur thotë se “me largimin tonë nga vendi, Serbia humbet, njerëzit e kualifikuar i kthejnë kurrizin vendit. Në rrethin tim njoh një sërë miqsh që janë larguar. Jo vetëm të rinjtë. Nganjëherë janë familje, ose individë me 20 vite përvojë pune.” Sipas një sondazhi të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, RCC, që përmbledh 13 vende të Europës Juglindore, 32% e të anketuarve në vitin 2018 janë përgjigjur se luajnë me idenë e largimit nga vendi. Mësuesi i gjermanishtes, Filipi nuk mund të ankohet se nuk ka punë. Megjithatë ai ka një shqetësim tjetër: “Nëse të gjithë largohen në Gjermani kush do të kujdeset nga ana mjekësore për mua dhe fëmijët?