Fjalë Kyçe

Kompensimi i orëve të humbura gjatë grevës, MASHT dhe SBASHK pa marrëveshje

Ftesa e Komisionit parlamentar për arsim ndaj kryetarit të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharaj, dhe ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi, për arritjen e një marrëveshjeje për orët e humbura gjatë grevës nuk pritet të përfillet.

Të dyja palët kanë konfirmuar se do të marrin pjesë të premten në Komisionin parlamentar për arsim, por që do të kenë qëndrime të kundërta, shkruan sot Koha Ditore.

Drejtues të Sindikatës së Arsimit kanë bërë të ditur për gazetën se nuk do të tërhiqen nga vendimi për moszëvendësimin e orëve, të cilin e ka marrë javë më parë Këshilli Drejtues i SBASHK-ut.

Edhe zyrtarë të MASHT-it kanë thënë se ministri nuk do të heqë dorë nga vendimi i tij për zëvendësimin e orëve gjatë 15 ditëve të grevës. Sipas këtij vendimi, 5 ditë do të zëvendësohen nga pushimi pranveror në muajin prill, 5 ditë të shtuna do të zëvendësohen gjatë vitit shkollor 2018/2019, si dhe 5 ditë të zgjatet përfundimi i vitit shkollor 2018/2019.