Mjeku popullor Hysri Peçani i njohur si Burdushi qëndroi për katër muaj në paraburgim në Prizren, derisa mbi të rëndojnë dyshime për kryerje të katër veprave penale. Por, pavarësisht kësaj kohe qëndrim prapa grilave, nga ku ai tentoi të bëjë edhe vetëvrasje, për këtë rast ende nuk është ngritur aktakuzë e sot Burdushit iu është ndryshuar masa, raporton Gazeta Express.
Pasditën e së premtes, Hysri Pecani është liruar nga Qendra e Paraburgimit në Prizren nga ku po qëndronte tash e katër muaj.
Ai që në publik njihet si Burdushi dyshohej se kishte kryer katër vepra penale:
Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike, shmangie nga tatimi, mashtrim, dhe për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Se ka ndryshuar masa për Burdushin ka konfirmuar për Gazetën Express, prokurori i prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu.
Kryeziu ka deklaruar se për shkak të kalimit të afateve ligjore për vazhdimin e kësaj mase iu është zëvendësuar masa e paraburgimit me masën e paraqitjes në stacionin policor.
“ Ende ekzistojnë kushtet ligjore për vazhdimin e paraburgimit, maksimumi i dënimit për veprat penale për të cilat dyshohet i pandehuri është pesë vite dhe për shkak të kalimit të afateve ligjore për vazhdimin e kësaj mase mbi katër muaj, prokurori ka konsideruar se në rastin konkret janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore për zëvendësimin e masës së paraburgimit me masën e paraqitjes në stacionin policor”, ka deklaruar ai.
Masa e paraburgimit sipas tij skadon nesër, ndërkaq, Kryeziu ka sqaruar edhe pse deri më tani nuk është ngritur aktakuzë.
“Landa është shumë voluminoze ka pas shumë prova materiale, kanë pas me u shiku të gjitha një nga një merr kohë deri të ngritët aktakuzë, kjo thjesht është një masë për sigurimin e të pandehurit”, shtoi ai.
Lajmin për ndryshimin e masës së Burdushit e ka konfirmuar për Gazetën Express edhe avokati i tij Asdren Hoxha. I njëjti po deklarohet se momentalisht është jashtë dyerve të burgut duke pritur për klientin e tij.
Burdushi ishte arrestuar në nëntor të vitit të kaluar pasi që Policia e Kosovës nën udhëheqjen e Prokurorisë Themelore në Prizren kishte bastisur shtëpinë e “Burdushit” nën arsyetimin për shmangie nga tatimi dhe mashtrim.