Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit SH.H nga Gjilani i cili e kishte detyruar gruan e tij që të abortonte, raporton Gazeta Express.
Në një përgjigje për T7, nga Prokuroria Themelore në Gjilan është bërë e ditur se aktakuza është ngritur me 6 mars për veprat penale ‘’Shtrëngimi’’ nga neni 195 paragrafi 2 pika 2.4 dhe ‘’Ndërprerja e palejuar e shtatzënisë’’, nga neni 184 paragrafi 2 lidhur me nenin 32 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Prokuroria Themelore në Gjilan, më 6 mars 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit SH.H., për shkak të veprave penale ‘’Shtrëngimi’’ nga neni 195 paragrafi 2 pika 2.4 dhe ‘’Ndërprerja e palejuar e shtatzënisë’’, nga neni 184 paragrafi 2 lidhur me nenin 32 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”
Në aktakuzë thuhet se i pandehuri që nga muaji shtator i 2018-tës deri më 21 janar 2019 në fshatin Zhegër të Komunës së Gjilanit kishte ushtruar dhunë ndaj të dëmtuarës A.R dhe e kishte detyruar të abortonte.
“Sipas aktakuzës, i pandehuri SH.H., që nga muaji shtator 2018, deri më 21 janar 2019, në fshatin Zhegër, komuna Gjilan, përmes dhunës fizike dhe psikike, ka ushtruar dhunë në familje ndaj bashkëjetueses së tij – të dëmtuarës A.R., duke e detyruar që të veprojë kundër vullnetit të saj dhe të kryej abortin e fëmiut të tyre, në muajin e pestë të shtatzënisë, i cili ishte kryer në Republikën e Maqedonisë”, bënë të ditur nga prokuroria.
I pandehuri, më anë të mashtrimit, lajthimit dhe presionit, e kishte shtytë të dëmtuarën që të ndërmerrte një vendim të tillë.