Janë 15 persona që kanë humbur jeten si pasojë e aksidenteve në trafikun rrugor në Kosovë, vetëm në dy muajt e parë të vitit 2019. Nëse krahasohet me vitin 2018, janë katër veta më shumë që kanë humbur jetën për periudhën e njëjtë kohore.
Nga 1 janari i vitit 2017, në aksidente rrugore kanë humbur jetën mbi 280 persona, prej tyre 137 kanë vdekur më 2017, 129 më 2018 dhe të tjerët, 15, këtë vit.
Për të rritur sigurinë, si dhe disiplinuar shoferët dhe pjesëmarrësit tjerë në komunikacion, nga 1 janari i vitit të kaluar janë ashpërsuar gjobat për kundërvajtësit.
Prej hyrjes në fuqi të masave të reja ndëshkuese, Policia e Kosovës ka shqiptuar më shumë se 463 mijë tiketa për shkelësit e ligjit në trafikun rrugor. Prej tyre, 63 mijë vetëm në dymujorin e parë të këtij viti, ndërsa 400 mijë të tjera gjatë vitit 2018.
Mbi 170 mijë apo rreth 42 për qind e kundërvajtjeve, gjatë vitit të kaluar, janë për tejkalim të shpejtësisë. Afër 12 mijë (11 mijë e 883) është numri i gjobave për mosregjistrim të automjetit. Për mosrespektim të semaforit janë shqiptuar 1 mijë e 824 tiketa, ndërsa 6 mijë 485 shoferëve u është konfiskuar patentë shoferi (ndaluar drejtimi i mjetit me veprim motorik).
Nga 400 mijë gjobat e shqiptuara gjatë vitit të kaluar, Policia e Kosovës ka arkëtuar afër 8 milionë e gjysmë euro (8 milionë e 427 mijë euro) apo 140 për qind më shumë sesa në vitin 2017, kur kishte shqiptuar vetëm 3 mijë tiketa më pak se më 2018.
Për dallim nga viti 2017 kur numri i aksidenteve ka qenë 17 mijë e 695, më 2018 ka pasur 1 mijë e 954 aksidente më pak, e po ashtu 8 të vdekur më pak (2018: 129 të vdekur; 2017:137 të vdekur).
Megjithëse ka më pak aksidente e më shumë gjoba se në fillimvitin e kaluar, këtë vit numri i të viktimave në aksidente është më i madh. Në dymujorin e parë të vitit të kaluar në trafikun rrugor kanë humbur jetën 11 persona, ndërsa këtë vit 15.
Kjo edhe përkundër se Policia e Kosovës ka shpërndarë 10 mijë tiketa më shumë sesa në dy muajt e parë të vitit të kaluar (53 mijë e 182).
Në periudhën 1 janar – 10 mars 2019, Policia, po ashtu, ka konfiskuar mbi 1300 patentë shoferë, me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë në trafikun rrugor dhe uljen e numrit të aksidenteve.
Eksperti i sigurisë në komunikacionin rrugor, Nol Dedaj, e sheh me shqetësim numrin e aksidenteve. Por, thotë se organet shtetërore duhet që, pos masave ndëshkuesve, të përdorin edhe masa parandaluese dhe edukuese.
Sipas tij, vetëm ndëshkimi nuk ofron zgjidhje, duke shtuar se nëse shoferët kanë probleme të vazhdueshme me një kundërvajtje atyre duhet t’u hiqen disa pikë, konfiskohet patentë shoferi, dërgohen në qendra trajnuese dhe ritestohen.
“Ne duhet, në këtë situatë, në rast se marrim dikë, për shembull, me tërë ato gjoba për tejkalim të shpejtësisë, i eliminohen 3-4 pikë dhe dërgohet në institute përkatëse profesionale që duhen të krijohen, qoftë publike ose private. Aty pastaj duhet t’i mbahet një trajnim sa i përket teorisë dhe praktikës, në masat preventive për moszhvillim të shpejtësisë. Pastaj janë edhe filmat që duhet t’u lëshohen këtyre personave. Pas një jave u lëshohet një vërtetim dhe pas dy ose tre muajsh u kthehet patentë shoferi dhe në këtë fazë e konsiderojmë që një drejtues i një automjeti ka arritur edhe në mënyrë edukative, represive dhe ndëshkuese, për shkak se i eliminohen pikët, shohim që ky drejtues i automjetit të mos jetë më agresiv, por drejtues i mirë”, propozon Dedaj.
Pos faktorit njeri, ai problem e sheh edhe faktorin rrugë, duke vënë theksin te rrugët e vjetra dhe dëmtuara, rrugët e reja pa projekt të sigurisë dhe mungesën e sinjalizimit.
“Ne kemi shumë rrugë të vjetra të asfaltuara para 30 vjetësh dhe fare më nuk janë prekur. E shihni se çfarë deformime kemi në rrugë, mikro dhe makro deformime. Pastaj, ne nuk i kemi të identifikuara pikat e zeza, vendet e rrezikshme, nuk i kemi hartat e pikave të zeza, vendeve të rrezikshme, do të thotë krejt këto janë masa preventive, edukative për të cilat shteti nuk interesohet. Pastaj kemi projekte që bëhen çdo ditë dhe nuk e kanë projektin e sigurisë rrugore, e kemi sinjalizimin e dobët në tërë territorin e Kosovës, kemi probleme jashtëzakonisht të mëdha me faktorin rrugë”, thotë ai.
Duke u lidhur me aksidentin tragjik në Gjilan, Dedaj fajëson edhe politikat shtetërore për doganim dhe kontrollim teknik të automjeteve, duke thënë se ato po ndikojnë që faktori automjet të ulë nivelin e sigurisë në rrugë.
“Kemi probleme me faktorin automjet, faktori automjet është 17-vjeçar në 80 për qind të automjeteve. Vetëm paramendojeni këtë situatë që e kemi. E kemi rastin e veçantë, rastin e Gjilanit ku një automjet nuk është i regjistruar, kontrollet teknike pastaj. Shteti nuk është i interesuar që tregu i Kosovës të freskohet me automjete të reja, me ndryshimin e kritereve të doganimit, por ka mbet i njëjti sikur pas luftës. E fut doganën, e heqë doganën, e fut kufizimin e vjetërsisë, e lë kufizimin e vjetërsisë, në këtë rast faktori automjet nuk mbetet si element i sigurisë dhe gjithmonë ngadalë ndikon negativisht në sigurinë rrugor”, vlerëson profesori Dedaj.
Numri i përgjithshëm i patentë shoferëve valid në Kosovë, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, është 692 mijë e 471. Në një llogaritje me të dhënat e vitit të kaluar, i bie që mesatarisht gati 3 në 5 shoferë janë gjobitur nga një herë brenda vitit.