Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka akuzuar ndërkombëtaret se po luajnë lojë të dyfishtë në lidhje me taksën që Kosova i ka vendosur produkteve serbe dhe dialogun Prishtinë-Beograd.
Ai tha se presioni i ndërkombëtarëve nuk ka ndonjë efekt, pasi nuk po merren masa ndaj Prishtinës.
“Si është mundur që SHBA dhe Bashkimi Evropian nuk po arrijnë të detyrojnë Prishtinën të heqin taksën. Kam shprehur dyshimet se kjo është një lojë e dyfishtë, por ne na duhet të kuptojmë se kush po luan këtë lojë dhe cili është qëllimi i tyre”, deklaroi Daçiq.
“B92” duke cituar ministrin serb, raporton se jo të gjithë shtetet janë të interesuara që të hiqet taksa që ka vendosur qeveria e Kosovës.
“Kemi një shumëllojshmëri të problemeve gjeopolitike, nuk është më vetëm një çështje e Lindjes dhe Perëndimit, por edhe të interesave të ndryshme brenda Perëndimit”, vijoi ai.
Daçiç ka thënë se disa shtete janë duke e inkurajuar kryeministrin Haradinaj që të mos heqë taksën në mënyrë që të mos nisë dialogu, përcjell KP.
“Disa shtete janë duke i thënë atij, mos e hiq akoma”, tha Daçiq duke shtuar se “disa vende po i thonë Prishtinës që të presin për shfuqizimin e taksës deri pas zgjedhjeve në BE”.
Daçiç tha se Gjermania dhe Britania e Madhe nuk po tregojnë entuziazëm të madh në gjetjen e një zgjidhjeje për arsye të ndryshme.