Në veri të Mitrovicës tre persona u shoqëruan mbrëmë në polici. Forcat e rendit ndërhynë për të qetësuar një përleshje ku dikush kishte marrë në dorë edhe një sëpatë.
Në Lagjen e Boshnjakëve në veri të Mitrovicës pati një përleshje mes disa shqiptarëve dhe banorëve të komunitetit serb rreth orës 19:00 të së premtes. Shkak për këtë ishte një ngacmim verbal që disa të rinj shqiptarë i bënë një vajze serbe.
Posa për rastin dëgjoi babai i saj me mllef u nis që të gjente të rinjtë por jo duarthatë.
Qëllimit nuk ia arriti falë ndërhyrjes së banorëve dhe policisë.
Por këta të fundit sipas dëshmitarëve reaguan me vonesë.
Rasti është konfirmuar nga stacioni policor i Mitrovicës së Veriut. Një zyrtar i kësaj të fundit përmes telefonit tha se ndërhyrja e policëve ka qenë e menjëhershme duke i shoqëruar në stacion tre të dyshuar të cilët më pas janë intervistuar nga prokurori.
Për rastin që është duke u hetuar si ‘nxitje e urrejtjes ndëretnike, fetare e racore’ do të ketë intervistim edhe të personave të tjerë.