Fjalë Kyçe

AKR-ja kërkon që të pezullohet taksa ndaj Serbisë nëse lëkunden raportet miqësore Kosovë-ShBA

AKR-ja kërkon që të pezullohet taksa ndaj Serbisë nëse lëkunden raportet miqësore Kosovë-ShBA

Taksa e vendosur ndaj mallrave serbe që hyjnë në Kosovë ka ngjallur reagime të shumta nga shtetet e BE-së dhe ShBA-ja që vazhdimisht po kërkojnë heqjen e kësaj takse në mënyrë që të vazhdojë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

E vendosmëria e Qeverisë së Kosovës që kjo taksë të qëndrojë deri në njohjen reciproke nga Serbia, ka bërë që edhe SHBA-ja të ndryshojë qëndrimet sa i përket raporteve ShBA-Kosovë.Nënkryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), njëherësh ministër i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, Fatmir Matoshi, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se taksa ndaj Serbisë ka qenë një vendim 100 përqind i drejtë, por ajo duhet të pezullohet nëse rrezikon prishjen e raporteve me shtetet mike.

“Nëse kjo taksë fillon me lëkundë raporte në mes miqësisë me ShBA-në, Gjermaninë, Britaninë dhe taksës, mendoj që duhet zgjedhim miqësinë dhe raporte të kultivuara të mira me këto vende mike dhe mendoj që për një kohë të caktuar duhet ta pezullojmë taksën e cila mund të rikthehet në fuqi kurdo që ne vendosim prapë”, tha Matoshi.

Ai thotë se koalicioni nuk do të prishet për shkak të taksës dhe se dallimet për taksën do zgjidhen mes partnerëve të këtij koalicioni.

“Nuk mendoj që taksa do arrijë që ta përçajë koalicionin qeverisës në Kosovë, ky është një koalicion ku pjesa më e madhe e tij parazgjedhor që kanë garuar bashkë është dhe ne që jemi afruar si AKR për të mundësuar krijimin e qeverisë së Kosovës dhe mendoj që dallimet që kanë liderët politikë rreth taksës do të zgjidhen përmes bisedave të tyre mes vete dhe nuk pres që taksa të jetë shkaktar për prishjen e raporteve mes partnerëve”, u shpreh ai për Ekonomia Online.

Ai tha se taksa 100% ka qenë një vendim i drejtë për Kosovën, madje sipas tij Kosova ka vepruar me të drejtë me vendosjen e kësaj takse.

“Vendimi për taksën ka marrë unanimisht votat e gjithë ministrave të AKR-së në gjithë Kosovën që janë 4 vota, kemi qenë dakord pasi që është e drejtë e jona sovrane që të vendosim taksa ndaj shteteve që vlerësojmë që duhet vendosur dhe në këtë rast taksa ndaj Serbisë ka qenë shumë e drejtë”, tha ai.

“…Nuk po them që kjo taksë ka arritur efektin as nuk e ka arrit, por në masë të madhe ka ndikuar në vetëdijesimin tonë si shoqëri për mos të përdorur produkte të një vendi që ditë edhe natë vazhdon të na luftojë në forma të ndryshme.

Serbia deri në vitin 1999 na ka okupuar dhe pas viti 1999 vazhdon të na sulmojë në gjithë arenën ndërkombëtare, pengon anëtarësimin tonë në organizata të ndryshme dhe sa i përket raportit të taksës me Serbinë ajo është 100 përqind e merituar”.

Ai në këtë intervistë ka folur edhe për projektin e ndërtimit të hidrocentralit në Lumbardhin e Pejës.Një investim i tillë ndonëse ishte i ndaluar me planin zhvillimor komunal nuk ka marrë as pëlqimin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Ministri i kësaj ministrie, Fatmir Matoshi, në një intervistë për Ekonomia Online tha se ky projekt nuk është mjaftueshëm i precizuar me Ligjin për Natyrën.Sipas Matoshit nëse një projekt i tillë nuk e ka pëlqimin valid nga komuna përkatëse, ai nuk mund të diskutohet me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

“Realisht nuk është që është shumë e precizuar me Ligjin për Parqe çështja e hidrocentraleve, Ligji për Natyrën në nenin 11 thotë që ndalohet përdorimi i të mirave në parqe nacionale për përfitime ekonomike, rruga të cilën duhet ndjekur nga një investitor për të ardhë në ministrinë tonë për tu pajisur me leje ose pëlqime mjedisore që janë të nevojshme për ndërtimin e një hidrocentrali, e gjitha fillon me komunën, komuna është organi i parë që duhet të japë një pëlqim pasi që investimi ndodhë në territorin e një komune të caktuar dhe nëse investitori që ka kërkuar të kualifikohet si investitor strategjik nuk e ka një pëlqim valid nga Komuna e Pejës, ai pastaj nuk ka mundësi ligjërisht që të drejtohet në Ministrinë e Mjedisit që me kërku as pëlqime mjedisore as ujore e asnjë lloj leje tjetër”, tha Matoshi për Ekonomia Online.

E për tu marrë një leje e tillë për një projekt të tillë, sipas Matoshit nuk është aq e lehtë.“Jemi në një fazë të hershme, investitori duhet të merret me komunën pas komunës vjen ZRRE-ja dhe pas ZRRE-së vijmë në shprehje ne si ministri, duke marrë për bazë edhe Ligjin për Natyrën unë mendoj që nuk do jetë e lehtë që të marrë leje mjedisore dhe leje ujore në rastin e Lumbardhit të Pejës, por nuk mundem të paragjykojë sepse nuk e di saktë ku është planifikuar me u bë projekti”, tha Matoshi.