Gjatë ditës së sotme në medie u publikua një letër urimi dhe një dhuratë që kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i kishte bërë nipit të Shyhrete Behlulit.
Sipas Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, urimi i cili përmban firmën e kryeministrit Ramush Haradinaj drejtuar vajzës së këngëtares Shyhrete Behluli, Njomëzës, për lindjen e djalit nuk është aspak i vërtetë.
Përmes një njoftimi për medie, Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se çdo letër që e nënshkruan kryeministri, është me logo dhe numër protokolli.
Sipas njoftimit Zyra e Kryeministrit po ashtu ka sqaruar se dhurata nuk është as e kësaj zyre dhe nuk është paguar me paratë e kësaj zyre.
Tutje në këtë njoftim thuhet se e tërë kjo është vetëm një tendencë për ta njollosur kryeministrin, Ramush Haradinaj.
Sqarimi i plotë i Zyrës së Kryeministrisë pa ndërhyje:
Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës njofton opinionin publik se lajmet e disa portaleve me titullin “Kryeministri çon gur kundër mësyshit me urim zyrtar për lindje djali”, janë tendencioze, dhe njëkohësisht shpifje permanente, sikurse edhe shpërdorim i argumenteve në mënyrë që me çdo kusht rasti të ndërlidhet me Kryeministrin.
Zyra e Kryeministrit sqaron se çdo letër që e nënshkruan kryeministri, është me logo dhe numër protokolli.
Dhurata nuk është as e zyrës së Kryeministrit e as nuk është paguar nga Zyra e Kryeministrit.
Është për keqardhje tendenca me çdo kusht e qarqeve të caktuara për ta njollosur Kryeministrin.