Eksperti mjekoligjor Musa Gashi dhe eksperti i forenzikës Ilir Kukaj, në seancën e së hënës, kanë elaboruar ekspertizat e tyre që i kishin përgatitur për plagosjen që kishte ndodhur në qershor 2018, afër shkollës “Sami Frashëri”, në Prishtinë, për të cilën po akuzohen Adhurim Krasniqi dhe Fatbardh Abazi.
Eksperti mjekoligjor Musa Gashi, ka thënë se ai bashkë më një ekspert tjetër me 4 nëntor 2018, kishin përgatitur ekspertizën mjekoligjore duke konstatuar lëndimet që kishin pësuar të dëmtuarit Zenel Jashari dhe Nazmi Uka.
Ai tha se ekspertiza ishte përgatitur sipas fletë lëshimeve nga QKUK-ja.
Për të dëmtuarin Jashari, eksperti tha se ishin bazuar në fletë lëshimet nga Klinika e Kirurgjisë Vaskulare në QKUK, ku i dëmtuari ishte trajtuar nga 20 qershori e deri me 10 gusht 2018.
Eksperti tha se në fletlëshim ishte konstatuar gjendje pas plagës sklopetare (nga predha e armës së zjarrit), në testisjen e djathtë me shkolitje të tij, plagë sklopetare në këmbën e djathtë, plagë shqyese në kofshën e djathtë si pasojë e plagës sklopetare e përcjellë me ndërhyrje operative në testisjen e djathtë, me ajtje e hematomë në kofshën e majtë, gjakderdhje në kofshën e majtë e përcjellë me ndërhyrje për heqjen e trupit të huaj metalik në kërcitjen e këmbës së majtë.
Sipas tij, këto dëmtime ishin shkaktuar nga veprimi dinamik i predhës së armës së zjarrit të cilat bënin pjesë në dëmtime të rënda trupore.
Ndërkaq, në lidhje me të dëmtuarin Uka, eksperti tha se ishin bazuar në fletlëshimin nga Klinika e Ortopedisë dhe Traumatologjisë lokomotore në QKUK, i cili ishte trajtuar nga 12 deri me 14 qershor 2018.
Ai tha se kishte pasur plagë sklopetare (nga predha e armës së zjarrit), jo penetruese në kërcirin e këmbës së djathtë dhe plagës skolpetare penetruese në shputën e këmbës së djathtë e përcjellë me ndërhyrje operative.
Në pyetjen e anëtares së trupit gjykues, gjykatëses Nushe Kuka-Mekaj se këto pasoja a kishin qenë të rrezikshme për jetën, eksperti ka thënë se për të dëmtuarin Jashari sipas diagnozës kishte pasur gjakderdhje dhe nëse nuk kishte pasur ndërhyrje mjekësore, pasojat ishin të rrezikshme për jetën në momentin e shkaktimit.
Ndërsa, për të dëmtuarin Uka, tha se sipas diagnozave të konstatuara pasojat nuk kishin qenë të rrezikshme për jetën në momentin e shkaktimit.
Ndryshe, në këtë seancë ekspertizën e tij e ka eklaboruar edhe eksperti i forenzikës Ilir Kukaj.
Në lidhje më këtë rast eksperti tha se në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë ishin hartuar tri ekspertime prej të cilave dy kishin qenë balistike të provave materiale si gëzhoja, predha dhe pjesë të predhave, kurse njëra kishte qenë ekzaminimi i veturës.
Sipas tij, gjatë ekzaminimit të veturës kishin arritur të identifikonin se në veturë kishin shtënë së paku tetë herë dhe trajektoret e këtyre tetë të shtënave sipas ekspertit, kishin ardhur nga ana e djathtë e veturës, nga lartë–poshtë.
Ai tha se shumica e dëmtimeve kishin qenë në derën e djathtë të përparme nga ana e pasagjerit, ulësen e përparme të pasagjerit, hapësirën ndarëse në mes dy ulëseve të përparme, kurse një trajektore sipas ekspertit kishte dëmtuar pjesën e dyshemesë së veturës në anën e vozitësit dhe kishte depërtuar jashtë.
Nga kjo ngjarje, ai tha se në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë ishin sjellë 13 gëzhoja, pjesë të fishekëve të kalibrit 9 x 19 mm, që sipas tij, kishte rezultuar se të gjitha këto gëzhoja ishin shkrepur nga e njëjta armë, nga një pistoletë e llojit “Glok”.
Po ashtu, sipas ekspertit ishin sjellë për ekspertim edhe gjatë predha të dëmtuara të cilat ishin shkrepur nga pistoleta me tytë me gjashtë viaska poligonale, të njëjta sikurse të pistoleta “Glok”, mirëpo, pasi të njëjtat kishin qenë të dëmtuara, ai tha se nuk kishin arritur të përcaktojnë nëse ishin shkrepur nga e njëjta armë.
Ndryshe, në këtë seancë dy të akuzuarit kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre ligjore për tu mbrojtur në heshtje.
Fjala përfundimtare është caktuar me 25 mars 2019, në ora 13:00.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, me 11 dhjetor 2018 kishte përpiluar aktakuzën ndaj të akuzuarve Adhurim Krasniqi për shkak të veprave penale “vrasje e rëndë në tentativë”, “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, dhe “asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, si dhe ndaj të akuzuarit Fatbardh Abazi, për shkak të veprës penale “vrasje e rëndë në tentativë”.
Sipas aktakuzës, me 12 qershor 2018, përballë gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë, dy të akuzuarit në bazë të marrëveshjes paraprake kishin tentuar të privojnë nga jeta të dëmtuarin Zenel Jasharin dhe kishin rrezikuar jetën e të dëmtuarit Nazmi Uka.
Në aktakuzë thuhet se me veturën “Audi A 3”, pronë e të akuzuarit Fatbardh Abazi, të cilën e kishte drejtuar i akuzuari Krasniqi, kishin përcjellë lëvizjet e të dëmtuarit Jashari dhe në momentin kur ai kishte qenë në veturën e tij “Ford” të cilën e kishte drejtuar i dëmtuari Uka, i akuzuari Krasniqi kishte dalë nga vetura dhe më armë në dorë ishte afruar tek pasagjeri dhe pasi dritarja kishte qenë e hapur e kishte futur dorën brenda në veturë dhe kishte dhënë 15 herë në drejtim të të dëmtuari Jashari.
Për shkak të këtyre të shtënave, dy të dëmtuarit kishin pësuar lëndime të rënda trupore, ndërsa i akuzuari Krasniqi ishte larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa i akuzuari Abazi e kishte kthyer veturën me shpejtësi në drejtim të qendrës dhe kishin arritur të ikin në drejtim të panjohur, ku për një kohë kishin qëndruar në arrati. /BetimiperDrejtesi