Mbajtja e grevave nuk do të kishte kuptim sikur orët e humbura do të kompensoheshin, ka thënë kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK), Rrahman Jasharaj.
Jasharaj ka thënë se gjatë grevës kanë treguar se zëvendësim të orëve të humbura mësimore nuk do të ketë.
Sipas tij Ministria e Arsimit ka gënjyer se gjykata ka vendosur të hedh poshtë padinë e SBASHK-ut.
“Është pezulluar kërkesa që të mos jetë në fuqi kërkesa e ministrit, por të vendoset në gjykatë. Ashtu si do të vendos gjykata ne do të pranojnë. Pra gjykata ka pranuar padinë tonë dhe pritet të procedohet tutje”, ka thënë ai në emisionin “Përballje” të rtv Dukagjinit.
Kryetari i SBASHK-ut ka thënë se të gjithë ministrat tjerë të arsimit kanë ftuar përfaqësuesit e SBASHK-ut në takimet e përbashkëta me DKA-të, ndërsa ministri Bytyqi në tri mbledhje të mbajtura me drejtorët komunalë nuk i ka ftuar ata në takim.
“Pse të mos jemi ne në takimet e MASHT-it me DKA-të? Pa ardhur Bytyqi, asnjë mbledhje me DKA-të nuk është mbajtur pa neve”, tha ai.
Jasharaj ka thënë se ka presione të mëdha ndaj mësimdhënësve madje edhe ndaj nxënësve për të dalë të shtunën në mësim.
“Del drejtori i Gjakovës dhe u thotë arsimtarëve: ‘Gjykata e hodhi poshtë ankesën e SBASHK-ut, dilni të shtunën në mësim’! Apo një arsimtar i një partie u thotë nxënësve: ‘Nëse nuk dilni në mësim të shtunën nuk do të shkoni në ekskursion’. Ku bën bre kështu? Ne orët me zor nuk i mbajmë”.
“Ka ende shkolla që punojnë me shkumësa dhe shpuza. Greva do të ketë përsëri”, tha Jasharaj.