Ish-ministri i Kulturës, Astrit Haraqija, ka thënë se nuk mendon që Isa Mustafa do të jetë kandidat i ardhshëm për kryetar të LDK-së.Ai këto komente i bëri në emisionin Zona B, duke shtuar se në kohën e Rugovës, LDK-ja asnjëherë nuk iu ka ikur përgjegjësive parlamentare, shkruan Klan Kosova.“Unë nuk mendoj se Isa Mustafa do të jetë kandidat i ardhshëm për kryetar të LDK-së. Ndërsa nuk mund të vijë dikush prej rrugës dhe të bëhet brenda natës kryetar i LDK-së”.
“Nuk është korrekt që Sabri Hamiti mos me qenë sot deputet në parlament sepse ai është akademik, kjo është e turpshme. Unë nuk pajtohem me përjashtimin e politikanëve të vjetër sepse ata janë investim dhe ata njerëz nuk mund të hidhen poshtë”.“LDK-ja asnjëherë nuk ka ikur nga parlamenti. Ka pasur raste kur i kemi fituar 60 për qind të votave dhe postin e Kryeministrit ia kemi dorëzuar Bajram Rexhepit. Mirëpo kjo që po ndodhë sot nuk është frymë Rugoviane”.“Agim Veliu është ndër njerëzit më të fuqishëm brenda LDK-së. Kësaj partije i duhet një njeri i cili kryen punë më shumë në terren se sa që del nëpër media”.
“Presidenti Rugova thoshte se LDK-ja duhet të jetë e familjarizuar. Ata duhet takuar së paku një herë në javë dhe unë tani nuk i shoh ata duke e bërë këtë”.“Kryetari i LDK-së duhet të jetë dikush që e njeh strukturën. Lutfi Haziri, Fatmir Sejdiu, Agim Veliu dhe Kujtim Shala e dinë se çka kërkon elektorati. Këto katër figura e dinë si duhet krijuar një koncept ku bashkohen të gjithë strukturat”.