Lidhja Demokratike e Kosovës ka paraqitur kërkesë për debat parlamentar në lidhje me aksidentet me fatalitet.
Sipas LDK-së, rritja e numrit të aksidenteve në komunikacion, të cilat po përfundojnë shumë shpesh me vdekje, lëndime të rënda trupore dhe dëme të mëdha materiale, janë bërë dukuri shumë shqetësuese në Kosovë.
“Kontrollimi dhe monitorimi i gjendjes teknike të automjeteve që qarkullojnë në rrugët e vendit tonë, bazuar në numrin në rritje të aksidenteve, është dëshmi se nuk po bëhet konform ligjeve të miratuara. Bazuar nga sa u tha më lartë, Grupi Parlamentar i LDK-së, ka dorëzuar sot kërkesën për debat parlamentar në të cilin do të debatohet lidhur me aksidentet në komunikacion që po përfundojnë me vdekje, lëndime të rënda trupore dhe dëme materiale, mos respektimin e ligjeve të miratuara që rregullojnë fushën e qarkullimit në komunikacion, gjendjen teknike të automjeteve dhe trajnimin e shoferëve rinj”, thuhet në njoftimin e LDK-së./Gazeta Alo/