Derisa po afrohet koha e përfundimit të regjistrimit të koalicioneve, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë ftohur marrëdhëniet mes vete.
E, kjo për shkak të kandidimit të Vjosa Osmanit për Kryeministre nga LDK-ja dhe, në anën tjetër, insistimit të Vetëvendosjes që prijës i koalicionit të jetë Albin Kurti, raporton KTV.
Ish-deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu, në “Interaktiv” ka thënë se vetëm Kurti mund të luftojë korrupsionin e të bëjë shkapjen e shtetit.
Kurse, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se posti i Kryeministrit nuk duhet të ndikojë në marrëdhëniet mes dy partive.
“Në qoftë se jemi të bindur se edhe njërës edhe tjetrës palë i takon Kryeministri, kjo nuk do të thotë se duhet të hapim frontin ndërmjet veti. Kemi plot gjëra të mira që mund t’ia adresojë njëra palë tjetrës për bashkëpunimin tonë, por kemi edhe të këqija.
Kjo nuk është mënyrë që ne të tentojmë të fitojmë vota. Më shumë preferoj të ndërtojmë front të përbashkët, para ose paszgjedhor, për t’ua pamundësuar PAN-it dhe përkrahësve të tyre vazhdimin e shkatërrimi të shtetit”, ka shkruar Mustafa.
LDK-ja, VV-ja, por edhe partitë e tjera që kanë lidhur koalicion mes vete, kanë deklaruar se nuk do bashkëpunojnë me Partinë Demokratike të Kosovës.
E, koalicionet parazgjedhore të subjekteve të tjera, nga kjo parti, janë duke i konsideruar si frikë për humbje.
Nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se do shkojnë të vetëm në zgjedhjet e 6 tetorit, duke shtuar se nuk kanë vija të kuqe ndaj askujt.
Komisioni Qendror Zgjedhor ka vendosur që fushata zgjedhore të fillojë më 25 shtator dhe të përfundojë më 4 tetor. Ndërsa, afati për deklarimin e koalicioneve do të jetë deri në mesnatën e 30 gushtit.