Rikthimi i Donika Kadaj-Bujupit në AAK, ka qenë i frytshëm për punësimin e familjarëve të saj.
Pas punësimit të bashkëshortit në Telekom, tani motra e Donika Kadajt, Ena Kada, është punësuar në Ministrinë e Mbrojtjes, raporton KTV.
Ajo është punësuar përkthyese në këtë ministri që udhëhiqet nga Rrustem Berisha i AAK-së.
Deputetja Kadaj-Bujupi ka mohuar se ndikoi për ta punësuar motrën e saj, duke thënë se ajo është e përgatitur dhe njeh së paku 4 gjuhë.
Punësimin e të afërmve dhe militantëve partiakë, e ka vazhduar edhe vetë ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha.
Vëllai i bashkëshortes së ministrit Rrustem Berisha, Xhevat Dushollvci, është rojë personale e tij.
Ndonëse ministri premtoi se do të flasë para kamerës, pas disa orësh e anuloi prononcimin. Berisha ka thënë se, për pyetjet, do të japë një përgjigje të enjten.
Ndërkaq, Elena Çitaku, e fejuara e djalit të ish-zëvendësministrit të FSK-së, Brahim Mehmetaj, tash drejtor i Pronës në Komunën e Prishtinës, gjithashtu është punësuar në këtë ministri.
nga tetori i 2017-s, reja e Mehmetajt punon në kabinetin e ministrit të Mbrojtjes, Rrustem Berisha.
KTV-ja ka provuar të kontaktojë edhe me Brahim Mehmetajn, por ai nuk është përgjigjur në thirrjet e televizionit.
Në kabinetin e ministrit të Mbrojtjes janë të punësuar 20 persona staf politik.