Pas raportimeve të fundit ku dy persona, në dy raste të ndryshme, vdiqën në kazino, janë rritur reagimet edhe në opinion.
Lëvizja Vetëvendosje, qendra në Lipjan, e Lëvizja për Bashkim, përmes komunikatave për media, kanë kërkuar që kazinot të mbyllen.
“Mbrëmë në njërën nga kazinotë e shumta në Komunën e Lipjanit, gjeti vdekjen një i ri që po punonte aty. Ky rast duhet të shërbejë si moment reflektimi për institucionet përgjegjëse dhe se Komuna e Lipjanit duhet të marrë vendim që të mbyllë të gjitha kazinotë dhe lojërat e fatit në komunën tonë. Kazinotë e shumta, bastoret dhe lojërat e fatit jo vetëm që po dëmtojnë ekonominë familjare, po ndikojnë negativisht tek rinia, por edhe po shërbejnë si burim e arsye për incidente e konflikte deri në vrasje. Jo vetëm mosrespektimi i kufizimeve ligjore, por edhe ndikimi negativ që po sjellin kazinotë në jetën shoqërore e të sigurisë janë arsye të mjaftueshme që Kryetari i Komunës dhe Kuvendi Komunal i Lipjanit sa më parë të marrin vendim për të ndërprerë aktivitetin e këtyre operatorëve dhe të ndalojnë dhënien e lejeve në të ardhmen”, thuhet në reagimin e VV-së.
Tutje, thuhet se kushtet e rënda socio ekonomike në vendin tonë, mungesa e zhvillimit ekonomik e papunësia e lartë po i detyrojnë të rinjtë t’i frekuentojnë këto mjedise për të provuar fatin, të cilat jo vetëm se po i bëjnë ata edhe më të varfër, inkriminojnë ligjërisht, por edhe po shkaktojnë konflikte e cenim të rendit e sigurisë publike.
Ndërkaq, Lëvizja për Bashkim, thotë se pas vendimit për mbylljen e lojërave të fatit në Republikës së Shqipërisë, është vërejtur dukuria e shtimit të tyre në Republikën e Kosovës.
“Pra, pronarët e këtyre lojërave nuk kanë hequr dorë nga biznesi i tyre por vetëm kanë ndërruar hapësirë. Duke qenë se lojërat e fatit, më shumë se zgjidhje e problemeve ekonomike dhe të mirëqenies për qytetarët, shkaktojnë probleme të reja për familjet e tyre dhe shoqërinë në përgjithësi, Lëvizja për Bashkim kërkon nga institucionet e Republikës së Kosovës që të ndjekin shembullin e atyre të Republikës së Shqipërisë dhe, përmes ndryshimeve të nevojshme ligjore, ta pamundësojnë veprimin e këtij lloji të biznesit në vendin tonë. Lëvizja për Bashkim konsideron se ky do të ishte një hap thelbësor në kuadër të luftës kundër kriminalitetit që, rrjedhimit, do të ndikonte edhe në aspektin e forcimit të sigurisë publike në vendin tonë”, thuhet në reagimin e LB-së.
Sot në Suharekë, ka nisur peticioni që kërkon shfuqizimin e Ligjit për Lojërat e Fatit, që deri tani, është përkrahur nga Rahoveci, Gjakova e Lipjani.