Grupi Parlamentar i LDK-së ka njoftuar se ka dorëzuar sot kërkesën për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit pas dy vrasjeve që ndodhën për pak ditë në ambiente të kazinove.
Të mërkurën në mbrëmje, një i ri u vra në vendin e tij të punës në një kazino në Lipjan, pak ditë pasi një tjetër ishte vrarë po ashtu në vendin e punës në një kazino në Suharekë.
LDK-ja ka thënë se ekziston rreziku që ngjarje të tilla të shndërrohen në fenomen dhe se e sheh të nevojshme që Kuvendi të shprehë qëndrimin lidhur me këto ngjarje. Kjo parti ka kërkuar nga Qeveria të pezullojë menjëherë aktivitetet e kazinove dhe lojërave të fatit.
“Ngjarjet tragjike të javës së fundit, ku në ambiente të kazinove-lojërave të fatit mbetën të vdekur dy të rinj, duket qartë se nuk janë raste të izoluara. Ekziston rreziku që ngjarje të tilla të shndërrohen në fenomen. Mbrojtja e qytetarëve, ofrimi i sigurisë dhe ambientit të qetë janë përgjegjësi të shtetit të Kosovës. Prandaj, është detyrë parësore e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës që të adresojnë me urgjencë këtë fenomen përmes seancës së jashtëzakonshme. Mos veprimi i institucioneve përkatëse shtetërore në këtë moment do ta vështirësojë adresimin e këtij problemi më vonë. Lidhur me këtë, Grupi Parlamentar i LDK-së, vlerëson se është e nevojshme që Kuvendi i Republikës së Kosovës të shpreh qëndrimin e vet lidhur me këto ngjarje dhe të kërkojë nga Qeveria që menjëherë të pezullojë aktivitetet e kazinove dhe lojërave të fatit, në mënyrë që ngjarje të tilla të mos përsëritën më”, thuhet në njoftim të GP të LDK-së.
LDK-ja e mbështetur nga disa grupe tjera parlamentare dhe deputetë të pavarur ka kërkuar që seanca e jashtëzakonshme të mbahet nesër, më 22 mars, në orën 11:00.