Florent Ahmetaj 32 vjeç nga fshati Rezallë i Skenderajt u vra mbrëmë në vendin e tij të punës, në një kazino të Lipjanit. Një person ende i panjohur për Policinë e Kosovës dyshohet se shkrepi dy plumba në drejtim tij. Fillimisht nën këcënimin e armës hajni ia mori paratë e pazarit ditor të lokalit, më pas lëvizi drejt derës për të ikur nga vendi i ngjarje, por u kthye duke u treguar i pamëshirshëm ndaj Florentit që punoi për disa vjet rresht në kazinon “Metrix”, (pronë e djalit të hallës së tij).
Në momentin kur ndaj 32 vjeçarit, hajni shkrepi dy plumba ai ishte i vetëm në objektin e lojërave të fatit. Grabitje e armatosur kishte ndodhur edhe më parë aty.
Sot objektit të kazinos “Metrix” jo edhe të vogël për nga madhësia, që ndodhet në magjistralen Lipjan-Ferizaj i ishte vënë dryni. Asnjë njëri nuk ndodhej në afërsi të vendit ku një natë më parë u vra një i ri.
Florent Ahmetaj varroset sot në orën 17:00, për të, të gjithë folën fjalë të mira. Florenti ishte i martuar dhe në pritje për t’u bërë baba për herë të parë.
Ekipi i Gazetës Express ka qëndruar te familja e Florent Ahmetaj në Rezallë të Skendërajt. Babai i tij, Ismeti, mes dhimbjes e lotëve rrëfeu ngjarjen.
Tha se djali i tij nuk ka pasur problem me askënd, po ashtu tregoi momentin se si e mori vesh lajmin për vrasjen e Florentit.
“Unë jam kan flejt, djali ka shku në punë dikun para orës 20:00 dhe më thanë se nuk ka ndodhur vrasja. Ma kanë nxjerrë gjumin me ato bërtima… në punë u kanë në vendin e punës, ka punu te nipi. Aty edhe e vranë”, tha babai i Florent Ahmetaj.
“Djali jem Florenti, shprehem lirisht që njeri ma i urtë qitu në katun s’ka pas. Secilin që e pyet mundet me folë për to, ma i urtë s’ka pas. Shumë njeri i sjellshëm, u kanë shpirtmirë, kurrë probleme s’ka pas kurrë në jetë”, vazhdon rrëfimin babai.
Por si ndodhi vrasja? Rrëfen ngjarjen babai i të ndjerit
Ismet Ahmetaj babai i Florentit ka treguar se djalin ia vrau një i panjohur që kishte hyrë për të vjedhur në kazino. Thotë se pasi i ka marrë paratë e pazarit ditor, hajni ka lëvizur për tu larguar, por më pas ishte kthyer për t’I shkrepur dy plumba në trupin e Florentit. Për ta lënë të vdekur në vendin e tij të punës.
“Nuk e di si ka ndodh ngjarja. Veç ai ka qenë në vend të punës ka ardhë dikush, ja ka çelë derën kur ka desht me hi në bastore, ka shku 10 minuta në banjo po thonë u vonu ai. Ka mendu që po don me luajt aty, i ka kërku paratë, paratë ja ka dhanë në dorë (kamerat e kanë incizu krejt). Edhe niherë ka fillu me ecë me dalë, edhe u kthy prapa po thonë që e ka gjuajt me dy plumba”, rrëfen babai i të ndjerit.
Tregoi se brenda kazinos kanë ndodhur edhe më parë grabitje e armatosur. E këtë informacion e konfirmoi edhe policia.
“Në lokalin e njejtë ka ndodhur një grabitje e armatosur në vitin 2018, dy persona nën kërcënimin e armëve kanë arritur ta grabisin një shumë të parave dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes”, tha zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës Flora Ahmeti.
Ismeti (babai i Florentit) tha se djali i tij punonte me ndërrime dhe në momentin kritik për të ndodhej i vetëm brenda objektit
“Ka qenë fikall vetëm, roja ka pas me ardhë ka ora 20:00…ka punu me ndërrime, paraditë masdite.
Kurrë absolut s’ka pas problem…nuk e di shumën e parave që ia ka marrë hajni…ndodh që ka pas edhe para të pazarit që ka qenë ndërrimi tjetër”, tha ai.
E në të pame ndodhej edhe pronari i kazinos, por i njëjti nuk deshi të japë deklaratë për media.
“Na i kemi punët tona, policia po merret me rastin. Policia i kanë marrë pamjet krejt”, tha shkurtë pronari i kazinos Metrix, djali i hallës së të ndjerit.
Ndërsa një komshi i familjes Ahmetaj foli fjalë të mëdha për Florentin.
“Djalë shumë i mirë dhe i sjellshëm nuk ka pas telashe me kerkond”, tha ai.
Lamtumira e fundit iu dha sot Florentit nga familjarë miq e shokë në varrezat e fshatit Rezallë të Skenderajt.
Me këtë rast po merret policia dhe prokuroria, ende nuk është identifikuar personi që ia mori jetën.
Konfirmimi i policisë për vrasjen e Florent Ahmetaj:
Rreth ores 20:00 policia ka marre informaten se ne nje lokal ne rrugen “Bajram Gashi” ne Lipjan gjendet nje person pa shenja jete.
Me te marre informaten policia ka dale ne vendin e ngjarjes dhe nga keqyrja fillestare e vendngjarjes eshte konstatuar se nje mashkull, qe eshte konfirmuar si puntori i lokalit ne fjale eshte pa shenja jete, dhe ka nje plage qe dyshohet te jete shkaktuar nga arma e zjarrit.
Aktualisht po vazhdon ekzaminim i vendit te ngjarjes si dhe rasti po hetohet nga ana e policise si vdekje e dyshimte perderisa jane duke u ndermarre te gjitha veprimet e nevojshme ne perpjekje per te ndricuar dhe sqaruar plotesisht rrethanat ne te cilat ka ndodhur ngjarje.
Dy vrasje në kazino të Kosovës brenda katër ditësh
Jetmir Aliaj humbi jetën të dielën në një lokal kazinoje në Suharekë, e Florent Ahmetaj është viktima e dytë që vdiq mbrëmë në një kazino në Lipjan. Të dy punëtorë të kazinove nga 32 vjeç.
Për dy muaj e gjysmë ndodhën shtatë vrasje në Kosovë:
Me vrasjen e Florent Ahmetaj 32 vjeç, numri i të vrarëve në Kosovë brenda këtij viti ka arritur në shtatë.
Jetmir Aliajt 32 vjeç nga Mushtishti i Suharekës u vra të dielën në vendin e tij të punës. Për këtë vrasje policia arrestoi një pjesëtar të tyre (rreshter i policisë) Shefki Spahiu.
Po të dielën u vra edhe Ismet Gega 64 vjeç nga Studenqani i Suharekë, për këtë vrasje u arrestua Bjarami vëllai I tij (mosmarrëveshja filloi për shkak të trashëgimisë).
Vrasja e Tunë Bezhit në Marmullë të Gjakovës ndodhi të martën e javës që kaloi. Besohet se 40 vjeçari u vra nga Alfred Gjugja për një problem pronësor.
Abid Jashari u vra në fund të muajit shkurt në Prishtinë nga djali i vëllait të gruas së tij, Besnik Shkodriqi, për shkak të një mosmarrëveshjeje. Po ashtu gjatë muajit shkurt u vra edhe Mentor Aliu nga Ferizaj.
Dyshohet se vrasjen e kreu 17-vjeçari SH.R. për shkak të një gjakmarrjeje. Ndërsa, vrasja e parë në vitin 2019 ka ndodhur më 1 janar në një familje nga komuna e Gjilanit. Dyshohet se burri e ka vrarë aksidentalisht gruan e tij përderisa ishte duke e festuar me armë Vitin e Ri.
Gjatë kësaj periudhe kohore vrasjet kanë ndodhur në: Gjilan (1 grua), Ferizaj (1 burrë), Prishtinë (1 burrë), Gjakovë (1 burrë) Suharekë (2 burra) dhe Lipjan (1 burrë).
Sidoqoftë, në tre vjetët e fundit, viti 2018 cilësohet si viti me më së shumti vrasje në Kosovë. Policia tha se në vitin 2018 u vranë 35 persona, në vitin 2017 ndodhën 27 vrasje, ndërsa në vitin 2016 ndodhën 26 vrasje.