Disa familje në një ndërtesë në lagjen Bregu i Diellit të Prishtinës nuk po mund të flenë gjatë natës.
Banorët që ndodhen në Bregun e Diellit tek banesat e bardha, blloku 17, janë ankuar se një zhurmë e madhe po dëgjohet nga gypi i ujësjellësit prej orës 22:00 deri në 06:00 të mëngjesit.
Zhurma po dëgjohet brenda nëpër dhomat e banesës, në formë të dridhjes.
Banorët kanë thënë për lajmi.net se nuk po mund po flenë gjatë natës.
“Ka më tepër që tri javë që po ndodh zhurma. Është i njoftuar edhe Ujësjellësi. Nuk është në rregull që sa javë mos me mujt me flejt. Fillon zakonisht në orën 22:30 dhe nuk ndalet deri në mëngjes. Qysh e tek po ndodhë kjo zhurmë Ujësjellësi duhet ta dijë. Kanë qenë Ujësjellësi dhe kanë thënë se një gominë në ventilin kryesor në pompë e la lëshuar. Ujin e paguajmë rregullisht, por kjo nuk është në rregull”, tha njëri prej banorëve për lajmi.net.
Ndërsa, një banorë tjetre e ka regjistruar edhe me video në orët e natës zhurmën.
Ujësjellësi Rajonal “Prishtina” duket të mos jetë në dijeni për këtë problem, ani pse banorët e thonë të kundërtën.
Zëdhënësja e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, Arieta Mjeku tha për lajmi.net se ajo nuk është përgjegjësi e tyre, por që mund tu dalin në ndihmë banoreve në këtë rast.
“Gjithçka që ndodhe brenda objekteve kolektive është përgjegjësi e këshillit banesore bashkë me komuna përkatëse. Ne e mirëmbajmë rrjetin deri të ujëmatësi i ndërtesës. Por, në këto raste mund të i ndihmojmë me këshilla profesionale për hir të konsumatoreve tanë”, tha Mjeku.