Zvicra është tronditur sot nga vrasja makabre e vogëlushit shqiptar në qytetin e Baselit nga një grua e moshuar 75 vjeçare.
“Nëna e djalit nuk e ka ditur rastin si ka ndodhur deri në ora tetë e mbrëmjes, pasi që policia i ka thënë asaj një makinë e ka goditur. Ajo këtë ka kujtuar, sepse nuk e kanë lënë ta shoh djalin e saj”, tregon për albinfo.ch një i afërt i familjes.
“Ka dalë mjeku e i ka thënë ka vdekur nga hemorragjia, më tepër nuk i kanë dhënë informacione të emës së djalit“.
“Nëna e fëmijës është në gjendje shumë, shumë të keqe“, merr vesh albinfo.ch nga burime të afërta të familjes.
Nëna ka qenë në shtëpi duke pritur djalin për drekë, ndërsa babai në punë.
“Ajo ka pasur fëmijën e vogël më temperaturë në shtëpi dhe nuk ka dalë dot ta pres vogëlushin”.
Nëna e vogëlushit të vrarë ka 7 vite që jeton në Zvicër, kurse babai vogëlushit është rritur në Basel. Vogëlushi ka mbaruar shkollën në ora 12 dhe ka qenë rrugës për në shtëpi për pushimin e drekës.
“Ata jetojnë shumë afër shkollës. Banesa e tyre nuk është më larg se 10 minuta në këmbë nga shkolla deri në shtëpi”, tregon për albinfo.ch burimi ynë.
“Fëmija ka mbaruar shkollën në ora 12, kurse trupi i tij është gjetur rreth orës 12.30 nga mësuesja e tij i shtrirë në tokë me hemorragji të madhe. E ka prerë në fyt”.