Në shkollën “Hasan Prishtina” në mungesë të mësueses së klasës së parë, një prind mbanë orën mësimore.
Këta nxënës janë nisur për në klasë.
E atje nuk do të takojnë mësuesen e tyre, pasi që ajo mungon.
E në vend të saj është një prind.
Ajo po zëvendëson mësuesen e klasës së parë të shkollës “Hasan Prishtina” meqë ndodhet në pushim për shkak të një rasti të vdekjes në familje.
Këtë e ka konfirmuar edhe drejtoresha e shkollës, Sofie Bunjaku.
Ajo nuk ka pranuar të flasë para kamerës mirëpo, ka thënë që prindi ka ardhur vetëm për të mbajtur qetësinë e nxënësve në klasë.
Bunjaku po ashtu tregon se nga e hëna, mësuesja e klasës së parë do të kthehet në vendin e saj të punës.
Po ashtu, prapa kamerave prindërit e nxënësve thonë që një gjë e tillë nuk është e rrallë në shkollën Hasan Prishtina.
Mirëpo, për këtë askush nuk ka ndërmarrë asgjë.
E Drejtoria Komunale e Arsimit në Prishtinë thonë që nuk janë në dijeni për rastin.
Ata thonë që zëvendësimi për një periudhë të shkurtë bëhet brenda stafit të shkollës por jo nga prindërit e nxënësve.
Nga DKA, njoftojnë se së fundmi në shkollën “Hasan Prishtina” kanë angazhuar një mësimdhënës të klasave të para, pasi që ka pasur mungesë.