Fjalë Kyçe

Vazhdojnë protestat masive në Serbi

Vazhdojnë protestat masive në Serbi

Mijëra protestues marshuan në rrugët e Beogradit, të shtunën mbrëma, një javë pas hyrjes në ndërtesën e televizionit në protestat, sipas tyre, kundër qeverisjes autokratike të presidentit Aleksandar Vuçiq dhe mediave të njëanshme gjatë mbulimit të protestave.

Protestat e së shtunës shënuan javën e 16-të të protestave kundër qeverisjes së Vuçiq. Mijëra protestues u mblodhën para ndërtesës së radio-televizionit serb, duke kërkuar liri të mediave.

Ata kanë mbajtur në duar trëndafila të kuq dhe qirinj në përkujtim të gazetarëve që janë vrarë në Serbi në 30 vjetët e fundit.

Më 16 mars, protestuesit e udhëhequr nga lideri djathtist opozitar, Bosko Obradovic, u futën dhunshëm në ndërtesën e televizionit shtetëror RTS, duke kërkuar që t’i adresohen popullit.

Kërkesa e tyre nuk u plotësua dhe së paku 18 persona u arrestuan gjatë intervenimit të policisë.

Pas protestave të javës së kaluar, presidenti u zotua se do të mbrojë rendin dhe ligjin në vend.

“Unë jam caku i tyre në kohën kur dua të vendos konsolidim politik dhe zhvillim ekonomik”, kishte thënë ai.

Protestat antiqeveritare “Një në pesë milionë” mbahen në Beograd çdo të shtunë qysh më 8 dhjetor të vitit të kaluar. Në ndërkohë, ato janë shtrirë edhe në qytete të tjera të Serbisë.

Protestuesit që përfshijnë figura publike, politikanë të opozitës, profesorë universitetesh e të tjerë, kërkojnë më shumë hapësirë në televizionin publik, pastaj zbulimin e urdhëruesve dhe kryesve të, siç thonë, sulmeve ndaj qytetarëve, gazetarëve, aktivistëve dhe politikanëve, si dhe publikimin e “planit për zgjidhjen e çështjes së Kosovës”.

Muajin e kaluar, Freedom House – organizatë ndërkombëtare për liritë dhe të drejtat e njeriut në botë – ka publikuar raportin vjetor, në të cilin e ka degraduar Serbinë nga kategoria e vendeve të lira në vend pjesërisht të lirë./rel