Prej 4700 zyrtarëve të lartë publikë që janë të obliguar ta deklarojnë pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsion, deri më tani pasurinë e kanë deklaruar rreth 1300 zyrtare ose 30 përqind.
Zyrtarë të Agjencisë Kundër Korrupsion thonë se ky numër i zyrtarëve që e kanë deklaruar pasurinë është mjaft i vogël.
Drejtori i departamentit për parandalim të korrupsionit në AKK, Afrim Atashi thotë për KosovaPress se edhe 3600 zyrtarë të lartë publik nuk e kanë deklaruar pasurinë, por shpreson se deri më 31 mars do të dekorojnë edhe zyrtarë të tjerë.
Atashi thotë se për deklarim të rrejshëm ky Agjencion ka bërë mbi 30 kallëzime penale ndaj zyrtarëve të lartë publik për vitin 2018.
Ndërsa, se sa janë reale deklarimet e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik, Arton Demhasaj nga organizata “Çohu” thotë për KosovaPress se në mungesë të mekanizmave të Agjencisë Kundër Korrupsion për të verifikuar atë çka deklarohet dhe njëkohësisht në mungesë të dispozitave ligjore për t’i obliguar zyrtarët ta deklarojnë prejardhjen e pasurisë, mund të thuhet që një masë e madhe e deklarimit të asaj pasurie mund të mos jetë e saktë.
Ai ka shtuar se ka një kategori të zyrtarëve që në masë të madhe kur e deklarojnë pasurinë e rritin vlerën e pasurive, sepse ashtu iu përshtatet me pasur pasuri me të madhe, por është edhe kategoria tjetër që është ende më e rrezikshme që ia ulin vlerën pasurive të tyre për mos me dal që janë shumë të pasur.
Ndërsa, Florent Spahija nga Instituti Demokratik i Kosovës(KDI) thotë se realiteti dhe deklarimet zyrtare jo çdo herë janë në përputhje. Ai tha se prokuroria në të gjitha rastet kur ka dyshime duhet të bashkëpunojë ngushtë me AKK-në në zbulimin e këtyre rasteve dhe me pas dërgimin e tyre para gjykatave. “Lidhja e sistemit te deklarimit me sistemet elektronike si ai i regjistrave kadastral apo llogarive bankare sipas numrit personal të zyrtarit do te ishte lehtësi në zbulim e parandalim”, tha Spahija në një përgjigje elektronike. Procesi i deklarimit të pasurisë për vitin 2019 ka filluar më 1 mars dhe përfundon më 31 të këtij muaj.