Mbi 10 mijë maturantë në Kosovë sot i janë nënshtruar afatit të dytë të provimit shtetëror të maturës. Për dallim nga afati i kaluar, pjesa e parë e testimit është bërë në gjithë vendin, ndërsa nxënësit pjesën e dytë do ta kenë me 7 shtator.
Me rastin e mbajtjes së afatit të dytë të provimit të maturës, ministri në detyrë i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka vizituar “Shkollën e Mesme Profesionale” në Shtime. Ai tha se është një organizim i mirë dhe se nuk ka kopjime si herëve të kaluara.
Ministri në detyrë i Arsimit ka uruar të gjithë nxënësit që të kenë sukses në provimin e sotëm.
E kryetari i komunës së Shtimes, Naim Ismajli tha se është duke u mbajtur një test dinjitoz.
Pjesa e dytë e testimit do të mbahet me 7 shtator, ndërsa nxënësit do të njoftohen me rezultatet me 16 shtator.
Ndryshe, në afatin e kaluar provimin e maturës e kishin kaluar 64,6 për qind e maturantëve.