Fjalë Kyçe

Spitalet s’kanë instrument për matje të alkoolit në gjak për shoferët e dehur

Spitalet s’kanë instrument për matje të alkoolit në gjak për shoferët e dehur

Gjatë gjysmës së parë të këtij muaji (mars) Policia e Kosovës ka shqiptuar 102 gjoba për shoferët, të cilët kanë vozitur nën ndikimin e alkoolit. Ndonëse është e vërtetuar se nga ngasja e automjetit nën ndikim të alkoolit janë shkaktuar shumë aksidente në komunikacion, institucionet publike shëndetësore në vend nuk posedojnë ndonjë instrument, i cili e mat saktë nivelin e alkoolit në gjak, shkruan gazeta “Zëri”.

Drejtori i Klinikës së Biokimisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Shemsi Veseli, ka konfirmuar se nuk mund ta matin saktësisht nivelin e alkoolit në gjak. “Matja e alkoolit në gjak është njëra prej lëshimeve shumë të mëdha në gjithë sektorin edhe publik, edhe privat, pasi matja nuk bëhet tamam në gjak. Me gjithë këto ndeshje të komunikacionit që bëhen ne mund t’i hyjmë në hak shoferit, por edhe viktimës, sepse nuk dihet sasia ekzakte e alkoolit në gjak për arsye se në tullumbace vlera nuk është krejt reale”, ka thënë ai.

Ndërsa në spitalet rajonale të Kosovës nuk posedojnë kurrfarë pajisjeje, e cila e mat sasinë e alkoolit në gjak.

Drejtori i Spitalit të Gjakovës, Ahmet Asllani, ka thënë se edhe pse në këtë spital kryhen të gjitha analizat, nuk bëhet edhe matja e nivelit të alkoolit te pacientët.