Prokuroria në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë ndaj një personi që përvetësoi 273 mijë euro.
Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media nga kjo prokurori.
“Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, kundër të pandehurit S.D, në drejtim të veprës penale “Përvetësim në detyrë”, nga neni 425 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftim.
Prokuroria njofton se i pandehuri S.D., në periudhën kohore 01.01.2005 e gjer më 31.12.2015 në cilësinë e shefit të kontabilitetit në firmën ku punonte, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, ka përvetësuar të hollat që i janë besuar në bazë të detyrës, në atë mënyrë duke mos regjistruar në evidencat e kontabilitetit kthimin e akontacioneve (paradhënieve të punëtorëve), duke tërhjekur para të gatshme nga banka dhe të njëjtat duke mos i regjistruar fare në evidencën e kontabilitetit, duke mos dorëzuar pazarin ditor në llogarinë bankare të kompanisë, e duke mos i regjistruar në evidencat e kontabilitetit paratë e kthyera nga personat që kishin huazuar para nga kompania, duke përvetësuar kështu shumën prej 273.107.39 euro.
Me këto veprime, i pandehuri ka kryer veprën penale “Përvetësim në detyrë”, nga neni 425 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Prokurori i Shtetit, i ka propozuar Gjykatës Themelore në Mitrovicë, që të pandehurin t’a shpallë fajtorë për veprat e kryera penale dhe ta dënojë sipas ligjit./Gazeta Alo/