Kosova nuk është njohur ndërkombëtarisht nga asnjë shtet për më shumë se një vit, përderisa Serbia po punon vazhdimisht për të siguruar çnjohje të reja. Opozita dhe analistët vlerësojnë se përpos diplomacisë kosovare të dobët shtetet hezitojnë ta njohin Kosovën për shkak të deklaratave për ndryshim të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, shkruan Gazeta Zeri.
Hapja e idesë për korrigjim të kufijve dhe zhvillime të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë ka bërë që Kosovën për një vit e dy muaj të mos e njohë asnjë shtet, derisa njohja e fundit ka ndodhur në prag të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë, më 15 shkurt të vitit 2018, nga Barbadosi.
Kështu të paktën vlerësojnë opozita e vendit dhe njohës të çështjeve ndërkombëtare, të cilët thonë po ashtu se diplomacia kosovare është e dobët dhe e paorganizuar, prandaj sipas tyre numri i njohjeve është ulur drastikisht.
Pa i përfshirë edhe çnjohjet që i ka paralajmëruar pala serbe e që janë kundërshtuar fuqishëm nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, deri më tani Kosova është njohur ndërkombëtarisht nga 116 shtete. Në vitin 2012 Kosovën e kishin njohur 12 vende, në vitin 2017 dy, ndërsa në vitin 2018 ka ndodhur vetëm një njohje.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme thonë se janë duke punuar për të siguruar njohje të reja, mirëpo sipas tyre kjo është një sfidë për ta për shkak të skepticizmit të madh të disa shteteve.