Është sprapsur presidenti Hashim Thaçi nga përcaktimi paraprak që në kundërshtim me formulën kushtetuese të dekretojë anëtarët e rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Pas presionit amerikan, ai ka pranuar që subjekteve kryesore opozitare t’ua japë atë hise përfaqësimi që ua garantojnë Kushtetuta dhe ligjet në fuqi.
Të martën kreu i shtetit ka ftuar dy të nominuarit e Lëvizjes Vetëvendosje, si dhe dy të tjerë të nominuar nga Lidhja Demokratike, që të paraqiten të enjten në zyrën e tij për të dhënë betimin si anëtarë të KQZ-së. Nga këto dy parti opozitare ai kishte kërkuar vetëm nga një nominim, por në kundërshtim me kërkesën e Thaçit, ato i kishin dërguar nga dy, shkruan sot “Koha Ditore”.
Gjashtë pozitat në KQZ për subjektet shumicë Thaçi donte që të ndaheshin midis grupeve të tashme parlamentare dhe jo konform rezultatit të fundit zgjedhor, siç e ka definuar Gjykata Kushtetuese grupin parlamentar.
Sipas atij përcaktimi të presidentit, koalicioni PAN nën flamurin e të cilit kishin konkurruar Partia Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, do të fitonin tri vende në KQZ, meqë tani funksionojnë si grupe parlamentare më vete, dhe jo dy, siç ka vendosur tash Thaçi, ndërsa një vend do ta fitonte edhe Partia Socialdemokrate, e cila ishte pjesë e koalicionit PAN, por pas zgjedhjeve doli në opozitë pasi në të aderuan 12 deputetë të LVV-së.
Kjo formulë ndëshkonte vetëm LVV-në dhe LDK-në, prandaj këto parti kishin paralajmëruar se do ta refuzonin secilën formulë përfaqësimi që ishte në kundërshtim me Kushtetutën dhe ishin zotuar se, në një rast të tillë, presidentin do ta denonconin në Gjykatën Kushtetuese.