Drejtoria e Inspeksionit në komunën e Mitrovicës, sot kanë nisur aksionin për largimin e shitësve ilegalë nëpër hapësirat publike konkretisht tek sheshi i qytetit.
Ky aksion po zhvillohet në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, dhe Kompaninë Regjionale të Mbeturinave ‘Uniteti Sh.A’, të cilët kanë ndihmuar në largimin e mjeteve.
Gjatë këtij aksioni në shëtitoren “Agim Hajrizi” janë sekuestruar disa auto lodra për fëmijë të cilët e zhvillojnë veprimtarinë biznesore pa leje nga organet kompetente si dhe shfrytëzojnë hapësirën publike duke penguar lëvizjen e lirë të qytetarëve, njofton Komuna e Mitrovicës.
Drejtori i Inspeksionit, Hysni Ahmeti, tha se “janë të përkushtuar në lirimin e hapësirave publike në sheshin e qytetit dhe nëpër vendet tjera ku pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe ushtrojnë veprimtaritë e tyre në mënyrë ilegale”.
Po ashtu drejtori Ahmeti, shtoi se disa herë shitësit janë paralajmëruar që të mos vazhdojnë punën ilegale në sheshin e qytetit, por ata kanë vazhduar pavarësisht këtyre vërejtjeve.
“Aksionet e tilla do të jenë të vazhdueshme me ç’rast do të ketë edhe shqiptim të gjobave, edhe konfiskim të mallrave”, tha ndër të tjerash drejtori Ahmeti.
Me këtë rast Drejtoria e Inspeksionit kanë marrë masa konform ligjeve në fuqi dhe kanë ndaluar zhvillimin e veprimtarive të këtyre subjekteve.