Prokuroria e Prizrenit ka ngritur aktakuzë kundër një personi zyrtar.
I njëjti mbante pozitën e inspektorit të ndërtimit ndërkaq që ai po akuzohet për veprën penale të ‘keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar’.
“Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit N.M., në cilësinë e personit zyrtar si Inspektor i Ndërtimtarisë në Inspektoratin e Ndërtimtarisë të Drejtorisë së Inspektorateve të Komunës së Prizrenit, përveprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftim.
Sipas aktakuzës, i pandehuri N.M., si person zyrtar duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar të inspektorit të ndërtimtarisë, nuk i përmbush detyrat zyrtare me qëllim që të përfitoj çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër apo që t’i shkaktoj dëm personit tjetër, në atë mënyrë që në vazhdimësi vetëm formalisht si në aktvendimin e Inspektoratit të Ndërtimtarisë të Drejtorisë së Inspektorateve të Komunës së Prizrenit, me nr. 17-354-122 të dt. 22.10.2013, e pastaj si në procesverbalin me nr. serik 0002763 i datës 24.10.2013, me të cilat urdhëron ndërprerjen e punimeve pa leje ndërtimi, e pastaj me procesverbalin me numër serik 0004270 i datës 05.11.2013, me te cilin urdhëron pajisjen me leje ndërtimi të Objektit – Sallonit të dasmave afër pompës së benzinës “Arbëria” në hyrje të autostradës Veri në Prizren, pronë e investitorit Sh.B., si në procesverbalin me numër 0008434 te dt.09.07.2015, me të cilin urdhëron ndërprerjen e punimeve pa leje ndërtimi në kompleksin e ndërtimeve ’’Barut-hane’’, në Prizren, pronë e investitorit T.K., si në aktvendimin me nr. 17-354-29, të dt. 11.04.2017 me të cilën urdhëron ndërprerjen e punimeve ndërtimore pa leje në objektin hotelier per dasma ’’Crystal Palace’’, në hyrje të autostradës Veri, afër fshatit Landovicë, pronë e investitorit Z.K. dhe si në aktvendimin, nr. 17-354-38 të dt.11.05.2017, me të cilin urdhëron ndërprerjen e punimeve pa leje ndërtimi në Objektin-Depon për prodhimin e peletit afër rrethit të autostradës, në Lagjen ‘’Arbanë’’ të Prizrenit, pronë e investitorit A.Sh., nuk merr masa pasuese në frymën e këtyre akteve gjegjësisht Aktvendime për rrënime vullnetare dhe përfundimisht Konkluzione për rrënime të detyrueshme të objekteve të ndërtuara pa leje, ku njëherit i shkaktohet dëm material edhe Komunës së Prizrenit.
Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragraf 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë.