Kandidatja për kryeministre nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka treguar se rrugëtimin e ka filluar nga qyteti i Mitrovicës për të vazhduar në qytetet tjera të Kosovës.
“Mitrovicë, qyteti im i dashtun, po kthehem sot tek ti, për të nisur nga këtu një rrugëtim me zemrën plot, me dashurinë për Kosovën, njerëzit e saj dhe miqtë tanë, dashuri e respekt që e kam marrë e kultivu pikërisht këtu” shkroi Osmani në Facebook.
Ajo shkroi gjithashtu se shumë persona e mbajnë në mend kur ka qenë fëmijë, e me shumë të tjerë ishin bashkë-udhëtar në rrugën drejt Lirisë, Pavarësisë dhe Demokracisë.
“Shumë nga ju, aktivistë shumëvjeçar të Lidhjes Demokratike, më mbani mend si fëmijë, e shumë nga ju të rinj e të reja si bashkë-udhëtare në rrugën e pandalshme të Lirisë, Pavarësisë dhe Demokracisë, të cilën e trasuan edhe secili nga prindërit tanë, për ta bërë Republikën tonë, të fëmijëve të tyre, e nipërve e mbesave tona, një shtet me të cilin secili do të krenohemi. Asnjëherë me mashtrim, por gjithmonë me vetmohim.” shtoi ajo.
Ajo ndër tjera tha se Kosova nuk i përket asnjë partie politike, as LDK’së e as Vjosa Osmanit, për Kosova është vetëm e qytetarëve.
“Ky shtet nuk është i asnjë politikani, i asnjë partie politike, as i Vjosa Osmanit, as i LDK-së. Mitrovica, Kosova është e juaja. Vetëm e juaja” shkroi ajo.