Fjalë Kyçe

SBASHK: Nuk ka kompensim të orëve as në pushimin pranveror

SBASHK: Nuk ka kompensim të orëve as në pushimin pranveror

Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës njofton të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit se orët e humbura për shkak të grevës nuk do të kompensohen.

SBASHK kujton sfidat që janë përballur këtë kohë për realizimin e qëllimeve.

“Mësimdhënës të nderuar kujtojmë se ky vit na shoqërori me sfida të mëdha në përpjekje për të realizuar kërkesat tona të drejta. Ju përgëzojmë edhe një herë për unitetin e treguar sepse pas grevës kishte edhe tentime që me dezinformata e shpifje të dëmtohej uniteti i SBASHK-ut, por ju treguar vetëdije të lartë dhe ruajtët unitetin dhe figurën e respektuar të mësimdhënësit e sindikalistit. Këshilli Drejtues duke përcjellë zarfin tuaj ka vendosur që orët e humbura në grevë të mos kompensohen. Ministri solli një vendim të njëanshëm të të pabazuar në Ligj dhe si të tillë SBASHK e dërgoi në Gjykatë dhe është në pritje të vendimit të institucionit të drejtësisë. Janë bërë presione aty e këtu nga drejtorë të disa DKA-ve e drejtëve të shkollave, por ato mbeten përpjekje të dështuara”, thuhet në një komunikatë për medie të kësaj Sindikate.

Sindikata e Bashkuar komentoi edhe seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, sipas të cilëve deputetë nga subjekti i ministrit të Arsimit Bytyqi, nxorën vrerë mbi SBASHK-un.

“Të nderuar mësimdhënës u iniciua dhe u mbajt edhe seanca e jashtëzakonshme e Parlamentit të Kosovës, por në vend të debatit konstruktiv, një numër i vogël deputetësh të subjektit politik nga vjen Ministri Bytyqi, nxorën vrerë mbi ne duke na ofenduar me një fjalorë që ua kemi lënë në fytyrën e dinjitetin e tyre. Deklaratat me fjalor të ulët të deputetëve Zafir Berisha e Zeka treguan kush janë ata dhe ndikuan që ne të jemi edhe më të fortë e më unik dhe kështu do të vazhdojmë. Ne respektojmë Ligjin e grevës dhe institucionit të drejtësisë në pritje të vendimit të gjykatës gjegjëse. Deputeti Zafir Berisha duke humbur kontrollin e të shprehurit nga inati e mllefi u shpreh edhe kundër rritjes së koeficienteve për arsim duke përmendur se rritja është 100 euro dhe se kjo gjoja po dërguaka shtetin në kolaps. Ai bashkë me ndonjë bashkëmendimtar të tij kështu treguan se kanë qenë kundër çdo ngritjeje të koeficienteve për punëtorët në sektorin e arsimit”, thotë tutje SBASHK-u.

Tutje në komunikatën e kësaj Sindikate se shumica e deputetëve në seancë ishin në anën e zbatimit të ligjeve që vet i kanë miratuar, përcjellë Klan Kosova.

“Të nderuar mësimdhënës fatbardhësisht në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës shumica e deputetëve që diskutuan ishin parimor dhe në anën e zbatimit të ligjeve të cilat vetë i kanë miratuar dhe kritikuan iniciativën e thirrjes së kësaj seance të jashtëzakonshme , që si e than disa nga deputetët vërtetë është tentim për te ndërhyrë në punën dhe pavarësinë e institucioneve të drejtësisë, pasi që, siç dihet , vendimi i ministrit Bytyqi është në procedurë gjyqësore”.

Ndër të tjera Sindikata i bën thirrje Ministrisë së Arsimit që ti ndalë presionet ndaj nxënësve dhe mësimdhënësve.