Nenad Rashiq, politikan serb në Kosovë, ka thënë se serbët në Kosovë më së shumti e kanë problem Beogradin.
Ai ka thënë se ka pasur ofertë nga Lista Serbe, që t’i bashkohet asaj, mirëpo e kishte refuzuar atë.
Ai duke folur për konfliktin e politikanit tjetër serb, Sllobodan Petroviq, me eksponentë të Listës serbe, ka thënë se ka frikë që situata mund të eskalojë edhe më shumë.
“Serbët e Kosovës më së shumti e kanë problemin me Beogradin, ose me një parti që është në pushtet. Presidenti serb Vuçiqi vazhdimisht e deklaron se nuk ka serbë në jug. Ai me qëllim e minimizon rolin serb në jug për shkak të planit që e ka së bashku me presidentin Thaçi”, ka thënë Rashiq për RTK 3.
Ai ka folur për problemet që Lista Serbe ua shkakton serbëve në Kosovë. “Ka një ndarje psikologjike mes serbëve të veriut dhe jugut. Problemi është që direktivat vijnë nga një parti që është në Beograd. Kur është krijuar Lista serbe kam thënë se kjo parti nuk do të punojë për interesat e serbëve në Kosovë, por për interesa regjinale. Ka presion të vazhdueshëm, që bëhet në emër të Beogradit, të institucioneve aktuale. Nuk e shoh që në të ardhmen do të përmirësohet gjendja. Nuk shoh që serbët e Kosovës do të gjejnë gjuhë të përbashkët për të mbrojtur interesin e tyre”, ka theksuar Rashiq. “Kam frikë që kjo do të eskalojë edhe më shumë në një konflikt edhe më të thellë”.
Ai ka folur për raportin me Listën Serbe. “Unë nuk kam dashur që të bëhem pjesë e Listës serbe, duke iu thënë atyre se ju nuk mendoni mirë për serbët e Kosovës”, ka thënë Rashiq.