Gjermania është shumë e qartë – asnjë ndryshim kufiri dhe këmbimi i territorit në Ballkan nuk është i mundur.
Tërheqjen e linjave në baza etnike, Berlini e sheh si rrezik, dhe për këtë pajtohet edhe kryetari i Komisionit për punë evropiane në Bundestag, Gunther Krichbaum.
Siç ka thënë ai në një intervistë për mediumin serb “Ekspres.net”, përcjell Telegrafi, shtetet e Ballkanit Perëndimor kur flasin për zgjidhjet e mundshme duhet të marrin në konsideratë edhe pasojat që mund të kenë këto zgjidhje për rajonin.
“Sa herë që diskutojmë zgjidhjet e mundshme për problemet bilaterale, duhet të marrim parasysh pasojat për vendet e tjera. Prandaj, është vendimtare të veprohet në mënyrën më të ndjeshme”, citohet të ketë thënë Krichbaum.
Sipas tij, kur është fjala për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, “nuk është çështje nëse ndonjë zgjidhje është e pranueshme nga këndvështrimi i Gjermanisë”.
“Në vend të kësaj, Evropa si tërësi duhet të pyetet nëse shkëmbimi territorial krijon më shumë probleme për rajonin sesa zgjidhje. Vendet fqinje kanë një qëndrim mjaft kritik ndaj një opsioni të tillë, siç është Maqedonia Veriore me një minoritet të rëndësishëm shqiptar. Sipas mendimit tim, diskutimi publik në Serbi është shumë i fokusuar në çështjen e Kosovës, ndërsa sfidat më të mëdha për të ardhmen e këtij vendi janë mjaft të ndryshme, por nuk diskutohen në mënyrë kaq thelbësore”, ka thënë tutje Krichbaum.