Deputetë, zëvendësministra e emra të tjerë të personalieve të jetës politike e publike në vend, kanë përfunduar në Prokurorinë e Shtetit, për t’u ndjekur penalisht.
Të paktën, kështu ka deklaruar kreu i Agjencisë Kundër-korrupsion, Shaip Havolli, në konferencën ku edhe ka prezantuar raportin vjetor për vitin 2018, të AKK-së, raporton KTV.
Agjencia nuk ka dhënë detaje e as emra konkretë, por ka theksuar se kanë bërë 390 kallëzime në Prokurori.
Në prezantimin e raportit vjetor të vitit 2018, të Agjencisë Kundër-korrupsion, drejtori Havolli ka thënë se veprat penale të cilat i ka detektuar, janë keqpërdorim i detyrës zyrtare, konflikt interesi, deklarim i rremë dhe fshehje e pasurisë.
Korrupsioni me i lartë, sipas tij, është në nivelin qendror dhe kjo ndodh për shkak të koncentrimit të buxhetit në këtë nivel.
Për vendimin e kryeministrit për ngritjen e pagës, ka thënë se ata tashmë e kanë dhënë opinionin e tyre dhe këtë rast e kanë dërguar në Prokurori.
Havolli, foli edhe për punësimet familjare dhe politike të bëra nëpër ndërmarrjet publike dhe institucionet shtetërore, për çka tha se së shpejti do të dalin me një rekomandim për nepotizmin dhe ushtrimin e ndikimit gjatë punësimeve nëpër ndërmarrjet publike.
Në 104 rastet e dorëzuara në Prokurorinë e Shtetit, janë të përfshirë 105 persona, e në disa prej tyre, janë të përfshira dy e më shumë vepra penale.