Cihan Ozkan, Kahraman Demirez, Hasan Hüseyin Günakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Yusuf Karabina në mënyrë të jashtëligjshme, më 29 mars të vitit 2018, janë dërguar në Turqi. Sot është bërë një vit që nga dëbimi i tyre, por që ende askush në Kosovë nuk ka marrë përgjegjësi për këtë rast.
Dëbimi i gjashtë shtetasve turq nga Kosova është vlerësuar si kidnapim nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ).
Kryetari i kësaj organizate, Behxhet Shala, ka thënë për “Zërin” se dëbimi i shtetasve turq ka qenë në kundërshtim me të gjitha organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
“Ne kemi të bëjmë me një veprim të kundërligjshëm dhe të dënueshëm, veprim i cili i shkel rënd të drejtat e njeriut, të drejtat e personave që kërkojnë strehim politik për shkak të rrezikut që kanë në shtetin nga ka ardhur dhe është në kundërshtim me të gjitha organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe me të drejtat e refugjatëve. Ne si KMDLNJ dëbimin e kemi quajtur kidnapim”, ka thënë ai.
Shala ka thënë se Kosova është identifikuar si shkelëse e të drejtave të njeriut dhe se do të duhet ta paguajë një çmim të madh për shkak të dëbimit të gylenistëve.
“Ky është një tregues që Kosova është identifikuar si shkelëse e të drejtave të njeriut. Më e keqja do të vijë më vonë, përpos që Kosova tani ka hyrë në të gjitha listat e shkelësve të të drejtave të njeriut, kur të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës është e sigurt se këta të cilët janë arrestuar ose familjarët e tyre do ta padisin shtetin e Kosovës në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut. Jam i sigurt se Kosova do ta humbë rastin dhe do të detyrohet ta paguajë një çmim shumë të madh edhe material”, ka shtuar ai