Deputeti dhe kryetari i Degës së LDK-së në Prizren, Haxhi Avdyli, ka thënë se nuk do të rikandodojë për kreun e LDK-së në këtë komunë.
Ai thotë se arsyet për tërheqje nga gara për të parin e LDK-së në Prizren janë personale.
“Për shkak arsyeve personale dhe profesionale nuk do të rikandidoj”, tregon Avdyli për “PrizrenPress”.
Ai, pranon se gjatë kohës sa ka qenë kryetar i LDK-së në Prizren, nuk janë arritur rezultatet e pritura.
“Nuk i kam arritur rezultatet që kam dëshiruar. Prandaj le të provojnë të tjerët”, shprehet ai.
Avdyli, thotë se do të qëndrojë në LDK, pavarësisht pozitës që do të ketë.
“Do të jem aktiv në LDK”, tha ai.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj ka thënë se është i gatshëm të garojë për kryetar të Degës së kësaj partie në Prizren.
Në Debat Plus në Tv Dukagjini, Selmanaj ka thënë se do të afrohet më shumë me Lidhjen Demokratike të Kosovës, andaj do të propozojë kandidaturën në këtë Degë të partisë.
Kështu, duket se në këtë degë do të ketë një garë të ashpër në mes të zyrtarëve të kësaj partie për të parin e Degës
Sot, kandidaturën për të parin e Degës së LDK-së në Prizren e ka bërë publike njëri ndër deputetët më të vjetër të partisë, Anton Quni.
Quni ka pranuar se tashmë kandidatura e tij është zyrtare.
“Po, është e vërtetë. Në mbledhjen të kryesisë së LDK-së, dega në Prizren, unë e kam bërë publike kandidaturën për kryetar të degës në Prizren” ka thënë shkurt Quni.
Më 15 mars ka filluar procesi i brendshëm zgjedhor në Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila do të përmbyllet me zgjedhjen e kryetarit të partisë. Gara e ashpër në këtë parti ka filluar nëpër degë të ndryshme, ku kanë nisur të bëhen publike kandidaturën. Një e tillë do të jetë edhe në degën në Prizren.
Ndërkohë, aktualisht kryetar i kësaj dege është Haxhi Avdyli.